KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Takimi NATO-Rusi përfundon pa marrëveshje

Takimi NATO-Rusi përfundon pa marrëveshje

NATO dhe Rusia përsëri nuk arritën marrëveshje. Në mbledhjen e Këshillit NATO-Rusi, e mbajtur në nivel ministrash, nuk u arrit në konsensus mes palëve. Kjo ishte mbledhja e dytë e Këshillit NATO-Rusi pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Në mbledhje u bisedua në lidhje me aktivitetet ushtarake të Rusisë, të cila shkaktojnë shqetësime në Evropë dhe për vendimet e marra në samitin e NATO-së që u mbajt më 8-9 korrik në Varshavë të Polonisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg duke vënë theksin në rëndësinë e këtij këshilli nga aspekti i dialogut, tha se “sot nuk u arrit në konsensus, por të dyja palët qartësuan pozitat e tyre”. Duke e bërë të ditur se vendet e NATO-s vazhdojnë me përkrahjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës, Stoltenberg tha se “të gjithë nënshkruesit e marrëveshjes së Minskut duhet t’i përmbahen premtimeve të tyre, ndërsa Rusia ka përgjegjësi të madhe në këtë aspekt”. Sekretari bëri të ditur se aktivitetet e Rusisë krahas sigurisë Euro-Atlantike, kërcënon edhe marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë, ndërsa shtoi se zgjidhja e problemit në lindje të Ukrainës me rrugë paqësore do të ndihmojë në zhvillimin e marrëdhënieve. Stoltenberg tha se Rusia bëri një propozim në lidhje me sigurinë e hapësirës ajrore në Detin Baltik, ndërsa shtoi se “presim me kënaqësi përpjekjet e Rusisë për të zbatuar masat për uljen e rrezikut”. Ndërkaq Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov tha se në Evropë po zbatohet një politikë e përjashtimit ndaj Rusisë. Marrëdhëniet NATO-Rusi ishin ndërprerë plotësisht pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Dy vite më vonë më 20 prill në Bruksel u organizua mbledhja e Këshillit NATO-Rusi, mirëpo nuk u arrit të tejkalohen dallimet e thella mes palëve.