KRYEFAQJA » LAJME » Takimi në orën 16, por ndërkombëtarët vënë në dyshim pjesëmarrjen
Takimi në orën 16, por pjesmarrja e ndërkombëtarëve në dyshim

Takimi në orën 16, por ndërkombëtarët vënë në dyshim pjesëmarrjen

Pjesëmarrja e ndërkombëtarëve në takimin e orës 16 ditën e hënë, është vënë në dyshim. Shkak duket se është bërë paqartësia e axhendës së diskutimeve. Ambasadorët Lu dhe Vllahutin, citohen ti kenë deklaruar kreut të kuvendit Ilir Meta, se ata nuk do të marrin pjesë nëse në bisedime do të diskutohet propozimi për qeveri teknike. Dyshimi i tyre duket se është krijuar nga deklaratat e kreut të opozitës Lulzim Basha, i cili ka mbështetur propozimin e bërë nga zoti Meta për krijimin e një qeverie teknike. “Zoti Basha foli për një qeveri teknike dhe nuk e përmendi aspak propozimin hibrid, që diskutoi me Victoria Nuland më 10 korrik. Nëse zoti Basha i qëndron zotimit të mëhershëm për të negociuar vetëm në bazë të propozimit hibrid, vetëm atëherë ambasadorët do t’i bashkohen tryezës”, sqaron deklarata e përbashkët e dy ambasadorëve.
Burime nga PD kanë qartësuar më parë se tema e bisdimeve do të përqëndrohet tek Reforma në Drejtësi.
Një ditë më parë ndërsa të dy diplomatët pranuan ftesën e zotit Meta, u kujdesën të venë edhe piketat e kësaj tryeze. Ambasadori Lu ka informuar Kryetarin e Parlamentit zotin Meta se e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, duke nënkuptuar se këto diskutime do bazohen mbi propozimin hibrid.
Nga ana e saj Ambasadorja e Bashkimit Evropian zonja Vllahutin e ka informuar zoti Meta se BE e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, ndërsa thekson se “është e gatshme të ofrojë pikëpamjet e BE-së rreth propozimit dhe përputhshmërisë së plotë të rolit të parashikuar për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me Opinionin e Komisionit të Venecias, si edhe me qëndrimin afatgjatë të BE-së dhe SHBA-ve se i gjithë pushteti vendimarrës duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare”.
Zoti Meta dhe zoti Basha e kanë konfirmuar pjesmarrjen e tyre në takim, ndërsa pritet përgjigjia e zotit Rama.