KRYEFAQJA » LAJME » Takimi Rama – Basha përfundon pa rezultat
SHBA dhe BE: Të zhgënjyer nga takimi Rama- Basha, por mbështesim qeverinë në hapat drejt miratimit të reformës

Takimi Rama – Basha përfundon pa rezultat

Pas afro tre orë bisedimesh takimi mes kryeministrit socialist Edi Rama dhe kreut të PD të opozitës Lulzim Basha ka përfunduar pa rezultat. “Më vjen sinqerisht keq që nuk arritëm të bindim PD për të votuar sëbashku draftin e shkruar bashkarisht me partnerët tanë strategjik të Reformës në Drejtësi,” tha kryeministri Rama në deklarim për shtyp. Ai shtoi se nuk ishte aspak i habitur pasi për të, PD nuk e do Reformën në Drejtësi. Por kryeministri Rama tha se kjo nuk do të thotë se refoma nuk do të bëhet. Ai bëri të ditur se dokumenti do të shkojë menjëherë në parlament, ndërsa shtoi jo pa skepticizëm se ka ende shpresë deri në momentin e votimit.
Por për kreun e opozitës Lulzim Basha, PD me qëndrimin e saj do të mbrojë drejtësinë nga krimi dhe korrupsioni. Sipas tij, çështja e vendeve të rezervuara në disa institucione kryesore të drejtësisë, ka ndarë sot qëndrimin e palëve. Zoti Basha tha se ky model, i propozuar edhe nga ndërkombëtarët, ndalon kapjen politike të drejtësisë, por kjo nuk pranohet nga maxhoranca e majtë. Ai paralajmëroi se paraqitja e projektit në parlament dhe mosvotimi i tij, do të sillte edhe dështimin e Reformës në Drejtësi.
Tashmë pritet dhe reagimi i ndërkombëtarëve që ishin investuar jo vetëm në këtë takim, por edhe miratimin e Reformës në Drejtësi.