KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Taleb: Shqipëria është në vendin e duhur dhe kohën e duhur për të zhvilluar turizmin

Taleb: Shqipëria është në vendin e duhur dhe kohën e duhur për të zhvilluar turizmin

“Shqipëria është në vendin e duhur dhe kohën e duhur për të zhvilluar turizmin. Por duhet të shtojë pak më shumë energjinë për ta bërë këtë”. Ky është mesazhi themelor që kreu i Organizatës Botërore të Turizmit, Rifai Taleb, dha në një intervistë për TVSH pas takimit që ai pati me ministren e Turizmit, Milva Ekonomi gjatë Panairit të Turizmit “World Travel Market” që u zhvillua në Londër ditët e fundit. Gazetarja Magdalena Alla e pyeti fillimisht zotin Taleb se cili ishte opinioni i tij mbi turizmin në Shqipëri.

Rifai Taleb: E kam vizituar Shqipërinë dy herë dhe mendoj të zhvilloj një tjetër vizitë vitin e ardhshëm. Kur për herë të parë vizitova Shqipërinë, të flisje për turizmin nuk ishte diçka e natyrshme. Sot shqiptarët besojnë në të. Shqipëria është duke u marrë seriozisht me turizmin e ka bërë ndryshime qartësisht të dukshme. Kryeministri juaj është një mbështetës i forte i këtij sektori e besoj se vullneti politik ekziston. Vullneti politik është elementi më i rëndësishëm në zhvillimin e produkteve turistike. Me shumë dashamirësi pres të marr nga ministrja e turizmit edhe draftin e Strategjisë Kombëtare të Turizmit dhe Master Planin”.

Magdalena Alla: Çfarë mendoni se na bën ne të veçantë?

Rifai Taleb: Personalisht kam vizituar disa prej plazheve tuaja, malet dhe liqenet. Por gjëja më e rëndësishme që ju keni është kultur, ushqimi, muzika, mikpritja juaj është unike. Shqipëria ka si avantazh që nuk është shumë e njohur në botë. Mbetet ende një vend mistik me magji në vetvete. Njerëzit kanë dëgjuar për Shqipërinë dhe nuk e dinë se çfarë i pret atje. Ky është një avantazh jo disavantazh, sepse sa më shumë kuriozitet të ndërtosh tek njerëzit aq më mirë mund ta promovosh veten.

Magdalena Alla: Cilat janë problematikat e turizmit shqiptar?

Rifai Taleb: Vendi juaj ka të njëjtat sfida të ngjashme me destinacionet e tjera në të gjithë botën. Në të gjitha destinacionet duhet të përmirësohet ndërlidhja, regjimi i vizave. Duhet më shumë promovim.

Magdalena Alla: Si e parashikoni pozicionin e Shqipërisë në garën rajonale?

Rifai Taleb: Është moment rritjeje për të gjitha vendet e Ballkanit, ku askush nuk flet më për konfliktet  e së shkuarës. Mesdheu gjithashtu është një prej destinacioneve më tërheqëse në botë. Një e treta e turizmit botëror vjen në Mesdhe. Janë 1.2 miliard udhëtarë ndërkombëtarë nga të cilët 380 milionë vizitojnë vendet e Mesdheut. Pra, Shqipëria është në vendin e duhur dhe kohën e duhur. Ajo që duhet të bëni është të shtoni pak më shumë energjinë për këtë. Jam shumë shumë optimist për të ardhmen e turizmit në Shqipëri. Shqipëria është në rrugë të mbarë për tu kthyer në një destinacion turistik tërheqës.