KRYEFAQJA » LAJME » Tanja Fajon: Demarkacioni, kusht bazë për liberalizimin

Tanja Fajon: Demarkacioni, kusht bazë për liberalizimin

Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën, Tanja Fajon, i ka bërë thirrje Parlamentit të Kosovës të ratifikojë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, me qëllim të hapjes së procesit të liberalizimit të vizave. Ajo tha se brenda javës së ardhshme komiteti i Parlamentit të Evropës për liritë civile, drejtësinë dhe sigurinë, do të debatojë për herë të parë për një raport që ajo ka përgatitur për liberalizim të vizave për Kosovën. Fajon tha se pas bisedimeve të shumta të zhvilluara në Komision Evropian, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi është vënë përfundimisht si kusht absolut për liberalizmin e vizave për Kosovën. Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, e nënshkruar vitin e kaluar, por e pa ratifikuar në Parlament, duhet të miratohet para se BE-ja të vendosë për liberalizim të vizave. Autoritetet në Prishtinë i kanë siguruar, ndërkaq zyrtarët evropianë, se do ta kalojnë marrëveshjen në Parlament dhe besohet se brenda muajit do të provojnë ta miratojnë me votat e partive në koalicion. Zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi, ka theksuar se në çështjet e adresuara nga Komisioni Evropian për liberalizim të vizave, autoritetet e Kosovës kanë dëshmuar rezultatet.“Komisioni Evropian ka adresuar vetëm dy çështje. Në kuadër të sundimit të ligjit ne duhet të vazhdojmë të dëshmojmë rezultate, dhe në kohën e fundit ka pasur përpjekje të shtuara të organeve të rendit dhe ligjit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.”“Ndërkaq, kushti tjetër ka qenë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, që është një çështje e cila ka nxitur debat të ndjeshëm në Kosovë dhe e cila është duke u trajtuar përmes dialogut politik”, ka theksuar Ilazi. Por, për partitë politike në opozitë, çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi mbetet ende e pazgjidhur. Në fundvitin e kaluar opozita ndërpreu shumë herë punimet e Kuvendit, me përdorimin e gazit lotsjellës dhe protestat në rrugë,ndërkohë që paralajmëroi se çdo përpjekje për ta futur në rend dite çështjen e demarkacionit do të ngjallë reagime të forta. Përveç kriterit për demarkacionin me Malin e Zi, Kosova duhet të përmbushë edhe një kriter tjetër, që është thellimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.