KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » TAP fillon të sjelli paisjet

TAP fillon të sjelli paisjet

Ndërtimi i Gazsjellësit Trans Adriatik në Shqipëri, i njohur me emrin TAP, ka hyrë në një fazë interesante. Në Portin e Durrësit kanë mbërritur paisjet e para që shumë shpejt do të nisin të montohen në të gjithë gjatësinë e gazsjellësit. Anija e parë ka mbërritur në fillim të prillit pas 11 ditë udhëtimi nga porti gjerman i Brakes, duke sjellë  1.390 tuba si dhe 73 bërryla. Përmasat e tyre janë mjaftë të mëdha. 90 për qind e tubave që do të përdoren në seksionin shqiptar do të jenë me gjatësi 18 metra, ndërsa 10 për qind e tyre me gjatësi 12 metra. Në portin e Durrësit është hapur një shesh magazinimi në rreth 90.000 m2. Diametri i brendshëm i secilit tub është 1,22 metra, ndërsa pesha e një tubi të vetëm prej 18 metrash është rreth 16.900 kg. Gjurma e TAP-it nëpër Shqipëri është rreth 210 kilometra në tokë dhe 60 km në ujërat territoriale shqiptare në Detin Adriatik dhe për ndërtimin e saj do të përdoren rreth 13.000 tuba.

Autoritetet shqiptare kanë këmbëngulur që TAP të kalonte në territorin shqiptar. Gjatë një cermonie të hënën në Durrës me rastin e mbërritjes së paisjeve të para të gazsjellësit, kryeministri i vendit Edi Rama tha se TAP do të jetë një motorr kryesor i zhvillimit të vendit.  Veç shtimit të vendeve të punës gjatë periudhës së ndërtimit, Gazsjellësi Trans-Adriatik do të ndihmojë edhe në gazifikimin e Shqipërisë duke mundësuar zhvillime të reja në të ardhmen. Sipas kryeministrit Rama ai do të jetë një nga arterie kryesore energjitike në drejtim të Europës.