KRYEFAQJA » LAJME » Tarifat e policave të sigurimit të automjeteve mbeten të “shtrenjta”
Tarifat e policave të sigurimit mbeten të “shtrenjta”

Tarifat e policave të sigurimit të automjeteve mbeten të “shtrenjta”

Një ditë më parë Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare iu drejtua me një shkresë zyrtare kompanive të sigurimeve, t’u rikthehen tarifave të mëparshme për sigurimin e makinave. Por duket se ndërhyrja e këtij autoriteti ka rënë në vesh të shurdhër. Të gjitha kompanitë e sigurimeve vijojnë të aplikojnë tarifat e rritura, ndërsa këmbëngulin se kjo rritje është e nevojshme. Një javë më parë tarifat e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve u rritën papritur, pa asnjë paralajmërim me 20 përqind për të gjitha kategoritë e mjeteve. Veç pakënaqësisë së klientëve, ngjarja ndezi një debat në publik, por edhe mes autoriteteve zyrtare. Komisioni i ekonomisë dhe financave në parlamentin shqiptar, me nisjen e sesionit të ri, do të thërras në një mbledhje të posaçme drejtuesit e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare për këtë situatë të krijuar në tregun e sigurimeve si dhe për vonesën dy vjeçare në implementimin e sistemit bonus malus. Edhe më parë shoqëritë e sigurimeve kanë ndërmarrë hapa të tillë, çka nga Autoriteti i Konkurrencës u konsiderua si një marrëveshje e tipit kartel, që cënonte parimet e konkurencës.