KRYEFAQJA » LAJME » Të drejtat e fëmijëve, detyrim i të gjithëve

Të drejtat e fëmijëve, detyrim i të gjithëve

Në ditën ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve ambasadorja e Bashkimit Europian Romana Vlahutin e vuri theksin në domosdoshmërinë e respektimit të këtyre të drejtave, një detyrim që sipas saj do të marrë jetë edhe ligjërisht falë Reformës në Drejtësi. Në aktivitetin e organizuar nga World Vision në Dibër zonja Vllahutin tha se “ Të gjitha ato investime që bëjmë ne i bëjmë për ju sepse ju do të jeni qytetarët e ardhshëm të bashkimit europian, që nga reforma madhore e drejtësisë në mënyrë që të drejtat tuaja të mbrohen vërtetë ashtu siç duhen dhe për çdo fushë tjetër tek e cila ne investojmë ”.

Edhe për përfaqësuesin e përhershëm të OKB-së në shqipëri Brajan Williams respektimi i të drejtave të fëmijëve është detyrim i të gjithëve. “Ishte shumë i rëndësishëm, pikërisht ky aktivitet, këto që pamë ne sot, sepse siç ju thashë, folëm për kurajon, për guximin dhe kjo ishte gjëja që na bëri më shumë përshtypje. Po nga ana tjetër na kujtoi të gjithëve detyrimin që kemi, na kujtoi detyrimin se si duhet të kemi kurajo për të ngritur zërin të gjithë bashkë kundër disa fenomeneve” theksoi ai.

Në aktivitet fëmijët e Dibrës morën premtimi nga drejtori i organizatës që ka në fokus fëmijët, Toni Goga, se “ne nuk do rreshtim së fuqizuari zërin tuaj dhe se mundësuari që ju të merrni pjesë në vendimarrje”.

Ndërsa kryetari i bashkisë Peshkopi Muharrem Rama premtoi ngritjen e qendrës së munguar rinore, një kërkesë e drejtpërdrejtë e fëmijëve ndaj tij.