KRYEFAQJA » LAJME » Të hënën diskutohet projekligji final i “Vettingut”

Të hënën diskutohet projekligji final i “Vettingut”

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi do të mblidhet të hënën për të shqyrtuar variantin final të projekligjit të Kontrollit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, draft i pasuruar me opinionet e opozitës dhe komentet e ekspertëve ndërkombëtarë.

Nëse diskutimi në komision do të jetë linear dhe palët do të gjejnë sikurse kanë premtuar konsensus, javën e ardhshme projekligji mund të votohet në Kuvend, duke përmbushur një nga afatet e paralajmëruara nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta.

Projekligji i njohur si Vettingu iu dorëzua komisionit të Reformës në Drejtësi në një variant të rishikuar, brenda të cilit ekspertët ndërkombëtarë kanë përfshirë komente mbi vërejtjet e opozitës.

Ky projektligj që parashikon kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, kontrollin e pasurisë së tyre dhe të familjarëve, do të skanoje në mënyrë shterruese çdo aktivitetet shoqëror edhe personal të njerëzve që do ti nënshtrohen ligjit të vettingut.