KRYEFAQJA » LAJME » “Të pandarë për Shqipërinë”, 1000 përfaqësues të diasporës mblidhen në Tiranë

“Të pandarë për Shqipërinë”, 1000 përfaqësues të diasporës mblidhen në Tiranë

Nën sloganin “Të pandarë për Shqipërinë”, në Tiranë nga 18- 20 nëntor do të organizohet për herë të parë nga qeveria shqiptare Samiti i Diasporës. Samiti do të mbledhi mbi 1000 përfaqësues të diasporës shqiptare nga 40 vende të botës që përfaqësojnë rreth 300 shoqata. Ai do të shërbejë si platformë bashkëbisedimi midis shqiptareve për të rimëkëmbur dhe për ti strukturuar më mirë marrëdhëniet midis komunitetit të shqiptareve me banim jashtë atdheut dhe vendit të tyre amë. Në një intervistë për TVSH, Drejtorja e Diplomacisë Publike dhe Diasporës në Ministrinë e Jashtme Donika Hoxha, sqaron se është synuar një prani e shtuar e përfqësuesve të diasporës në zhvillimin social-ekonomik të vendit. ” Do të kemi përfaqësues nga Austrialia, përfaqësues të diasporës së vjetër të Egjiptit, do të kemi përfaqësues të arbëreshëve dhe të arvanitasve, por do të kemi edhe përfaqësues shumë aktivë të diasporës shqiptare në çdo vend tjetër të botës” i tha TVSH zonja Hoxha. Ajo bëri të ditur se do të ketë një deklaratë të përbashkët e cila do të vendosi disa shtylla për një bashkëpunim të ardhshëm dhe të një angazhimi më konkret të diasporës në zhvillimin e vendit.
Samiti i Diasporës pritet të finalizohet me projekte konkrete që qeveria shqiptare do tu ofrojë anëtarëve të diasporës për ti bërë pjesë e zhvillimit të vendit. Nisma për organzimin e Samitit të Diasporës u bë e njohur nga kryeministri Edi Rama një vit më parë në një takim me përfaqësues të diasporës në SHBA. Por kjo nuk është një eksperiencë e panjohur me parë, pasi vende të ndryshme të botës e kanë përfshirë diasporën në zhvillimin e tyre jo vetëm ekonomik, por edhe social e kulturor.