KRYEFAQJA » LAJME » Të premten “Loja Promocionale e Kuponit Tatimor”
Të premten "Loja Promocionale e Kuponit Tatimor"

Të premten “Loja Promocionale e Kuponit Tatimor”

“Loja Promocionale e Kuponit Tatimor” po arrin në finish. Të premten pas dite do të mësohen fituesit. Hedhja e shortit do kryhet në mënyrë elektronike dhe do të trasmetohet nga televizioni kombëtar Top Channel.

Sipas njoftimeve të deritanishme në këtë lojë kanë marrë pjesë mbi 28 mijë persona. Ata kanë ruajtur dhe grumbulluar kuponat tatimorë të periudhës 15 nëntor – 31 dhjetor 2015. Kushti kryesor për pjesmarrje ka qenë që në çdo zarf të dorëzuar të kishte jo më pak se 50 kupona tatimorë me një vlerë jo më pak se 5 mijë lekë. Gjithsej do të ketë 511 fitues. Fituesi kryesor do të ketë mundësi të fitojë 1 milionë lekë, 10 të tjerë nga 100 mijë lekë, ndërsa 500 do të fitojnë çmime të tjera.

Fituesit do shpallen duke llogaritur pikët që do merren nga ponderimi 70 për qind me vlerën nominale të kuponave dhe 30 për qind me numrin total të kuponave të postuar. Pra sa më i lartë numri dhe vlera totale e kuponave të dërguar, aq më e lartë është dhe mundësia për të fituar.

“Loja Promocionale e Kuponit Tatimor” është pjesë e fushatës sensibilizuese dhe promovuese të organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe e mbështetur nga Ministria e Financave. Sipas organizatorëve kjo lojë ka si qëllim sensibilizimin e konsumatorit për tërheqjen e kuponave tatimor gjatë blerjes së produkteve apo shërbimeve. Ka patur disa keqkuptime për mënyrën e zhvillimit të saj, pasi aktiviteti herë është përcaktuar si lojë, herë si llotari.

Loja aktuale e kuponit tatimor, shihet edhe në konteksin e përpjekjeve të qeverisë shqiptare, e cila po i kushton një vemendje të madhe formalizimit të ekonomisë. Në shtator të vitit të kaluar ajo nis një aksion të madh në të gjithë vendin, rezultati i të cilit ishte rritje e dukshme e formalizimit të ekonomisë. Kërkesa kryesore ishte dorëzimi dhe marrja e kuponit tatimor nga shitësi dhe blerësi. Grupet në terren vendosën me këtë rast gjoba të majme të cilat ngjallën reagime të shumta. Por pavarësisht polemikave lidhur me mënyrën si po realizon synimin e saj, qeveria është e vendosur  të formalizojë ekonominë.