KRYEFAQJA » LAJME » Të shtunën nis kampionati i Kategorisë së Parë

Të shtunën nis kampionati i Kategorisë së Parë

Kampionati i Kategorisë së Parë në futboll do të nisë të shtunën me 24 shtator 2016. Komisioni i liçensimeve në Federatën Shqiptare të Futbollit ka dhënë miratimin për fillimin e sezonit të ri të kësaj kategorie. Ky kampionat i cili duhej të niste me 10 shtator është shtyrë pasi shumë klube pjesëmarrëse nuk kishin bërë pagesat e detyrueshme në FSHF për liçensimin, pagesat e stadiumeve por edhe pse kishin mangësi në infrastrukturë.

Sot ishte afati i fundit i shlyerjes së deyrimeve, e duket se kjo gjë është arritur. Sipas burimeve pranë FSHF-së, përfaqësuesit e klubeve janë paraqitur në zyrën e liçensimeve dhe kanë shlyer detyrimet e tyre. Sipas vëzhgimeve të kontrollorëve përkatës, është dhënë edhe miratimi për stadiumet ku do të luhen ndeshjet.

Nesër në orën 11:00 do të hidhet shorti për të përcaktuar kalendarin e kampionatit të Kagtegorisë së Parë. Nuk do të ketë ndryshime në strukturën kalendrike, pra janë dy grupe me nga 10 skuadra, Grupi A ku bëjnë pjesë skuadrat e veriut dhe Grupi B ku bëjnë pjesë skuadrat e jugut të vendit. Ndeshjet e kampionatit të Kategorisë së Parë do të transmetohet drejtpërdrejt nga rrjeti i Radiotelevizionit Shqiptar.