KRYEFAQJA » LAJME » Tension i lartë në marrëdhëniet mes presidentit Nishani dhe ministrit Bushati
Tension i lartë në marrëdhëniet mes presidentit Nishani dhe ministrit Bushati

Tension i lartë në marrëdhëniet mes presidentit Nishani dhe ministrit Bushati

Marrëdhëniet mes presidentit të republikës Bujar Nishani dhe ministrit të jashtëm Ditmir Bushati është tensionuar në një pikë gati të paimagjinueshme.
Të shtunën zoti Bushati i kërkoi kreut të shtetit që të sqarojë opinionin publik për ata që ministri e ka cilësuar si “veprimin e tij të paprecedent në shkelje të ceremonialit të shtetit dhe praktikës së konsoliduar diplomatike shumëvjeçare”. Zoti Nishani ka anulluar në minutën e fundit pritjen e trupit tiplomatik me rastin e Konferencës së Ambasadorëve pak ditë më parë. “Ceremoniali i shtetit, si pika e vetme e referimit për protokollin e shtetit që siguron mirëkuptimin e bashkëpunimin midis institucioneve, është fare i qartë” shkruan zoti Bushati. Sipas tij ai aplikohet njësoj për Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe “nuk lë shteg për për interpretime partiake, e as për trajtim privat të institucioneve shtetërore”.
Duke komentuar veprimin e kreut të shtetit, ministri i jashtëm e njehson dhe ironizon me qendrimin e opozitës shqiptar. “Koha e trajtimit të trupit diplomatik mbi bazën e “vendeve të rezervuara” ka perënduar që kur shqiptarët me votën e tyre të lirë e nxorën në opozitë partinë e zotit President” shkruan zoti Bushati. “Trupi diplomatik nuk është “mërgata e qyqeve” dhe as e “qokatarëve”, por një trupë e një shërbim që punon për interesat e vendit e qytetarëve” shton ai.
Për kreun e diplomacisë shqiptare presidenti është në kërkim të konflikteve të vockla, ndërsa hesht dhe pranon çimentimin e kulturës së korporatës në drejtësi. “Zoti President, çlirojeni veten nga përdorimi i funksionit publik si pronë private dhe partinë tuaj nga paranoja e “rrezikut euro-amerikan”, çlirojeni veten dhe partinë tuaj nga sindroma e qarramanit, sepse për Shqipërinë çështja më madhore mbetet miratimi i reformës në drejtësi” përfundon ministri Bushati.

Por me tone akoma më të të ashpra është përgjigjur kreu i shtetit Bujar Nishani. Ai e konsideron një rast skandaloz dhe pa precedent, akt të shëmtuar të dhunimit; të rregullave dhe ligjeve të shtetit, të detyrës dhe funksioneve të garantimit të sigurise të Gardës së Republikës, të ushtrimit të funksioneve dhe detyrës kushtetuese të Presidentit të Republikës nga ana e një funksionari të lartë të shtetit siç është Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.
Sipas presidentit Ministria e Jashtme në mënyrë të përsëritur, në fyerje të Kushtetutës së Republikës, thyerje të praktikës protokollare shtetërore, dhunim të prerogativave kushtetuese të Kryetarit të Shtetit e përjashtoi dhe ndaloi pjesëmarrjen e zotit Nishani në hapjen dhe zhvillimin e Konferencës Vjetore. “Ky akt i papërgjegjshëm, foshnjarak, bizantin dhe i dënueshëm, rëndon shumë imazhin e vendit tonë, për fat të keq” vlerëson presidenti. Sipas tij në mënyrë të përsëritur Ministri Ditmir Bushati refuzon të njohë Institucionin e Presidentit të Republikës, ndaj dhe në pritjen që Kryetari i Shtetit kishte organizuar në ambjentet e Presidencës nuk ishte i ftuar Ministri Ditmir Bushati dhe pjesëtarë të MPJ-së. Gjithnjë sipas presidencës, lista e të ftuarve i ishte dhënë autoriteteve të Gardës së Republikës në respekt të procedurave protokollare dhe sigurisë, por me një akt prej dhunuesi, Ministri Ditmir Bushati dhe persona të tjerë, të paftuar, kanë depërtuar me forcë në ambjentin ku do të organizonte pritjen Presidenti i Republikës. Duke e cilësuar si “një veprim i paekulibruar dhe i paprecedent në historinë e Shtetit Shqiptar”, presidenca shprehur shqetësimin e thellë për mosëpërmbushjen e detyrës nga punonjësit e Gardës së Republikës. Ajo i është adresuar drejtuesve të këtij institucioni, i ngarkuar me ligj për të garantuar sigurinë e funksionimit të Kryetarit të Shtetit, për të hetuar dhe marrë të gjitha masat e nevojshme në zbatim te ligjit dhe Kushtetutës së vendit.