KRYEFAQJA » LAJME » Tension në mbledhjen e byrosë parlamentare
Tension në mbledhjen e byrosë parlamentare

Tension në mbledhjen e byrosë parlamentare

Kreu i parlamentit Ilir Meta është shprehur me tone të ashpra kundër atyre që sipas tij kanë bllokuar dhe dëmtuar procedurat parlamentare të ndryshimeve kushtetuese duke vështirësuar miratimin e Reformës në Drejtësi. Deklaratën e  tij zoti Meta e bëri në fillim të mbledhjes së byrosë parlamentare dhe ku mungonte kreu grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci dhe kreu i komisionit Fatmir Xhafa dhe duket se ajo më së shumti drejtohej ndaj këtij të fundit. Debate idiote kanë shoqëruar këtë reformë, tha zoti Meta, duke theksuar se komisioni për reformën nuk ka miratuar të gjitha ndryshimet. Mbërritja e përfaqësuesve socialistë në mbledhje duket se ka tensionuar situatën. Kreu i komisionit Fatmir Xhafa ka shkëmbyer replika me zotin Meta, duke i kërkuar atij të ruante qetësinë, por duke nxjerrë në pah mosmarrëveshjet mes PS nga njëra anë dhe LSI e PD nga ana tjetër. “Kam 3 vjet që dëgjoj një parrullë tënden “Me qetësi dhe me dashuri”. Këtu të paktën dashuria ka ikur, por të paktën të rrijë qetësia” tha ai. Zoti Xhafa ka këmbëngulur se ka ndjekur çdo procedurë sipas marrëveshjes dhe ftoi që seanca e sotme parlamentare të kthehej në seancë suksesi.  Përfaqësuesi i LSI Petrit Vasili tha se pika e mbetur pezull, ajo e vetingut, sot nuk mund të shkojë në seancë. “Po na kërkohet të votojmë një gjë që nuk është miratuar ende”, tha zoti Vasili. Debatuesit kanë filluar të hyjnë në detaje duke e komplikuar edhe më tej situatën.