KRYEFAQJA » LAJME » Tension në parlament, Berisha: Populli të armatoset! Tahiri: Thirrje kriminale dhe antikushtetuese!
Thirrja për armatosje, PS padit në prokurori Berishën

Tension në parlament, Berisha: Populli të armatoset! Tahiri: Thirrje kriminale dhe antikushtetuese!

Parlamenti shqiptar ka përjetuar të enjten një momentet të vështirë. Ish kryeministri Sali Berisha duke akuzuar qeverinë Rama si “organizatë kriminale”, ka bërë thirrje publike për armatosje. “Unë kam një kërkesë sot për shqiptarët, u bëj thirrje për sigurinë e tyre të armatosen, të sigurojnë armë për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre sepse nuk kanë asnjë siguri. Ju bëj thirrje të armatosen” tha zoti Berisha. Më pas ai ju drejtua qeverisë “Nëse ju si organizatë kriminale mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët ju garantoj se opozita dhe qytetarët janë të gatshëm tua kthejnë ju me të gjitha mjetet dhe të mos gjeni vrimë miu ku të futeni”. “Të armatosen se armatosen amerikanët, të gjithë qytetarët që duan të mbrojnë veten e tyre. Të sjellim ligjin, tu japim të drejtë qytetarëve të mbajnë armë” tha më tej ish kryeministri Berisha,ndërsa drejtoi dhe epitete fyes ndaj kryeministrit Rama, e më pas u largua nga salla.
Pas kësaj deklarate ka reaguar me mjaftë ashpërsi ministri i rendit Saimir Tahiri, i cili e cilësoi deklaratën e ish kryeministrit Berisha si “thirrje kriminale dhe antikushtetuese”. “Unë nuk di si ky parlament vazhdon. Nuk besoj se ka thirrje më kriminale dhe antikushtetuese sesa kaq. Është vepër penale të bësh thirrje publike për dhunë. I kërkoj prokurorisë të marrë masa për këtë njeri që ka guxim të bëjë thirrje për të armatosur qytetarët” këmbënguli ministri Tahiri. Ai ju drejtua deputetëve demokratë që të distancoheshin nga këto deklarata. “Nëse ka realisht intelekutalë që e duan vendin distancohuni nga kjo deklaratë. Merruni me qeverinë, shani ministrat por mos i ftoni qytetarët të armatosen. Bëni çtë doni, silluni si të doni me ministritat , hidhni baltë sa të doni por lërini qytetarët të jetojnë të qetë. Silluni si të doni, por mos i bëni thirrje popullit të armatoset” tha ministri i brendshëm Saimir Tahiri.
Ndërkaq maxhoranca i ka drejtuar byrosë parlamentare kërkesën për të mbajtur qëndrim ndaj këtyre deklaratave. Ngjarja e së enjten në parlament pritet të ngrejë më tej tensionin politik në vend, ndërsa partive politike po u bëhet thirrje nga ndërkombëtarët të bashkëpunojnë për të miratuar Reformën në Drejtësi.