KRYEFAQJA » LAJME » Tërmet në qendër të Ballkanit
Tërmet në qendër të Ballkanit
EPA/NAKE BATEV

Tërmet në qendër të Ballkanit

Rajoni i Ballkanit është përfshirë nga një valë tërmetesh gjatë ditës së dielë. Më i fuqishmi, 5.2 ballë Rihter është regjistruar në orën 15.10 minuta me epiqendër 7 km në lindje të Shkupit, por lëkundjet e tij janë ndjerë të forta edhe në Shqipëri e Kosovë. Tre lëkundjet e tjera kanë qenë më të lehta nga 2.1-2.9 ballë. Epiqendra e dy prej tyre ka qenë pranë kufirit Maqedoni-Kosovë-Serbi. Sipas mediave maqedonase ka patur të paktën 50 të lënduar nga këto tërmete, kryesish me dëmtime në artikulacione, të cilët janë dërguar me urgjencë nëpër spitalet e Shkupit. Shkak duket se është bërë paniku i njerëzve për tu larguar nga shtëpitë e tyre. Ata kanë dalë në rrugë, sheshe e parqe, ku kanë qëndruar për disa orë të shqetësuar. Në kujtesën e banorëve të Shkupit janë regjistruar mjaftë tërmete. Por më tragjiku është ai i 26 korrikut të vitit 1963 në të cilin humbën jetën 1.070 persona dhe u plagosën, 3.000 të tjerë. Nga tërmeti u shkatërruan plotësisht 15.800 ndërtesa dhe u dëmtuan rëndë 28.000 të tjera. Të paktën  200.000 persona mbetën pa strehë.