KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Tërmeti në Itali: Presidenti viziton zonat e goditura
Tërmeti në Itali: Presidenti viziton zonat e goditura
EPA/MASSIMO PERCOSSI

Tërmeti në Itali: Presidenti viziton zonat e goditura

Dhimbje e madhe dhe trishtim ka patur sot në ceremoninë e varrimit të disa prej viktimave të tërmetit që goditi qendrën e Italisë të mërkurën e shkuar. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe presidenti italian Sergio Mattarella, kryemininistri Matteo Renzi dhe personalitete të tjera shtetërore.

“Mos kini frikë të bërtisni për vuajtjen tuaj, por mos e humbni guximin. Së bashku do të ndërtojmë shtëpitë tona dhe kishat tona, mbi të gjitha sëbashku do t’i japim jetë bashkësive tona, duke filluar pikërisht nga traditat tona dhe gërmadhave të vdekjes. Sëbashku!”. Këtë e tha gjatë omelisë në ceremoninë e varrimit Ipeshkëvi i Askoli Piçenos, Giovanni D’Ercole.

Presidenti Mattarella vizitoi më pas vendet e goditura nga tërmeti. Në Amatriçe, kreu i shtetit italian, u ndal për të folur me punonjësit e Kryqit të Kuq të Italisë dhe i ka përgëzuar për punën që po bëjnë. “Ju falenderoj për atë çfarë po bëni”, tha Mattarella. “Është detura e jonë, president”, iu përgjigjën ata. “Nuk do të ju lëmë vetëm. Mos u merakosni, do të bëjmë çfarë është e mundur për t’iu qëndruar pranë”, tha presidenti duke folur me personat e mbetur pa shtëpi në kampin e ngritur në Akumoli.