KRYEFAQJA » LAJME » Terrorizmi dhe refugjatët në qendër të takimit Rama-Tusk
Terrorizmi dhe refugjatët në qendër të takimit Rama-Tusk

Terrorizmi dhe refugjatët në qendër të takimit Rama-Tusk

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, kanë vlerësuar se “lufta ndaj terrorizmit është sfida më e madhe me të cilën po përballet Evropa dhe bota sot”. Zoti Rama dhe zoti Tusk zhvilluan të dielën një takim me dyer të mbyllura midis tyre në Tiranë, e më pas dolën në një konferencë për shtyp.
Kryeministri shqiptar ndërsa komentoi sulmet terroriste në Paris, tha se “Ne shqiptarët do të vijojmë të qëndrojmë me besim të plotë në anën e duhur të historisë, në aleancën e madhe të së mirës kundër të keqes. Ajo që ndodhi në Francë dhe që po ndodh përditë duhet të mos lejojmë të na prek njeriun brenda nesh, vlerën që mishëron bota, vlerën që kemi zgjedhur” tha kryeministri shqiptar. Zoti Rama siguroi se “nuk ka vend për panik dhe nuk ka vend për të ndryshuar asgjë, pasi Shqipëria nuk është as më shumë e as më pak e rrezikuar se vendet e tjera”.
Temë e rëndësishme e takimit ishte dhe ajo e refugjatëve. Zoti Tusk vlerësoi gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në zgjidhjen e krizës së refugjatëve. “Ballkani Perëndimor është në pararojë të tranzitit të refugjatëve” tha ndër të tjera ai.
Kryeministri Rama tha se “Shqipëria nuk është prekur nga kriza e refugjatëve dhe nuk është pjesë e korridorit ku ata kalojnë, por e siç e kemi thënë, me ardhjen e stinës së dimrit nëse ndryshojnë korridoret e kalimit të refugjatëve, ne jemi të gatshëm të mbështesim Europën edhe në këtë drejtim”.
Vizita e zotit Donald Tusk në Tiranë ishte pjesë e një turi ballkanik, përfshirë Beogradin dhe Shkupin.