KRYEFAQJA » LAJME » Tetë kandidatë garojnë për kreun e FIFA-s
Selia

Tetë kandidatë garojnë për kreun e FIFA-s

Në mesnatë ka përfunduar afati për hedhjen e kandidaturave për zgjedhjet presidenciale të FIFA-s. Tetë kandidatë do të garojnë për të marrë kreun e futbollit botëror: janë dy francezë, një italo-zviceran, dy afrikanë, një karaibik dhe dy aziatikë.

Ishin pesë kandidatë zyrtarë, që njihesin prej kohësh: i pari Michel Platini, që tani është i pezulluar për 90 ditë nga Komiteti Etik i FIFA-s për një pagesë të paligjshme prej 1,8 milionë eurosh të dhëna nga ish-presidenti i FIFA-s Sepp Blatter, princi i Jordanisë Ali Bin Hussein, ish-drejtuesi i FIFA-s Jerome Champagne, trinidadasi David Nakhid dhe afrikanojugori Tokyo Sexwale.

Pak para se të mbarojë afati i hedhjs së kandidaturave erdhën, përveç tërheqjes së brazilianit Zico, edhe kandidatura e presidentit të Federatës Liberiane Musa Bility, ajo e sheikut të Bahreinit Salman Bin Ibrahim Al-Khalifa, president i Konfederatës aziatike dhe mbi të gjitha ajo e italo-zviceranit Gianni Infantino. Ky i fundit ishte arma sekrete e Europës.

Në fakt, duke parë gjendjen rreth Platini-së, UEFA vendosi të mbështesë me forcë sekretarin e përgjithshëm të saj, që është në detyrë që nga viti 2009. Infantino ka mundësi të mira por nuk është i preferuari. Deri me 26 shkurt 2016 federatat e vendeve anëtare do të vlersojnë se kush do të jetë pasardhësi i Blatter. Sexwele mendohet të jetë i preferuari dhe nëse fiton do të jetë afrikani i parë në krye të FIFA-s.

Nëse Platini do të dalë i pafajshëm, për të cilin një apelim kundër pezullimit është hedhur poshtë, Infantino do të tërhiqet nga gara. Kush do të fitojë do të jetë pasardhësi i Blatter,që ishte në krye të FIFA-s që nga viti 1998, një kohë e gjatë e karakterizuar nga një mori skandalesh dhe ideshë të çuditshme.

Në historinë e saj mbi njëqind vjeçare FIFA ka pasur si president një europian, duke bërë përjashtim për brazilianin João Havelange që “mbretëroi” nga viti 1974 deri në vitin 1998, pra ishte paraardhës i Blatter.

Që nga themelimi në vitin 1904, FIFA është drejtuar nga tre britanikë, të gjithë anglezë, dy francezë, një belg, një brazilian dhe një zviceran. Tani na presin katër muaj betejë për të zgjedhur “mbretin” e ri të futbollit botëror.