KRYEFAQJA » LAJME » Thaçi: Komision për Asociacionin, opozita nuk e mirëpret

Thaçi: Komision për Asociacionin, opozita nuk e mirëpret

Propozimi i presidentit të Republikës, Hashim Thaçi për formimin e një Komisioni të veçantë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, nuk është mirëpritur nga tre subjektet opozitare, Vetëvendosja, AAK dhe Nisma për Kosovën. Sipas këtyre partive, propozimi i presidentit nuk është serioz dhe është tallje për politikën kosovare. Lëvizja “Vetëvendosje” e konsideron të panevojshëm krijimin e këtij komisioni, pasi sipas tyre, “Zajednica” ka marrë përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. Zëdhënësi i kësaj partie, Adonis Tahiri ka thënë se më mirë do të ishte që Kosova të ketë një qeveri të re. Ndërsa, partia e Ramush Haradinaj, propozimin e formimit të këtij komisioni e quan improvizim të Thaçit. Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se kjo është një tallje me politikën dhe me drejtësinë. Presidenti Thaçi gjatë takimit që zhvilloi me disa deputetë të Parlamentit Evropian ka thënë se themelimi i Asociacionit do të jetë në përputhshmëri me ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën e saj.