KRYEFAQJA » LAJME » Thaçi: Kosova nuk humb asnjë metër katror të territorit të saj
Thaçi: Kosova nuk humb asnjë metër katror të territorit të saj

Thaçi: Kosova nuk humb asnjë metër katror të territorit të saj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në faqen e tij në Facebook shkruan se “Sa më shumë që i afrohemi ditës kur Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ratifikojë shënimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, aq më tepër Kosova po dëshmon vendosmërinë për të ardhmen e saj euroatlantike. Faktet e reja dëshmojnë se procesi i shënimit të vijës kufitare nuk ka pasur asnjë lëshim dhe, si përfundim, Kosova nuk humb asnjë metër katror të territorit të saj. Këto fakte hedhin poshtë në tërësi kauzat e rreme të kundërshtarëve të këtij procesi të cilët në vazhdimësi e kanë kundërshtuar atë për interesa personale dhe përfitime politike.

Ky zhvillim i ri pozitiv ka bërë që të fuqizohet vullneti politik i pjesës dërrmuese të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta votuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. I gjithë opinioni publik dhe në veçanti deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë kuptuar në mënyrë të drejtë rëndësinë e këtij vendimi, i cili i hap Kosovës perspektivë të sigurt euroatlantike dhe fuqizon subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Edhe një herë ftoj gjithë spektrin politik dhe deputetët e Kuvendit të ngrihen mbi çdo interes dhe logjikë provinciale. Të veprojmë sa më të bashkuar për interesat e vendit. Këtë e presin qytetarët e Kosovës, këtë e presin miqtë tanë ndërkombëtarë”.