KRYEFAQJA » LAJME » Thaçi: “Krijimi i ushtrisë së Kosovës nuk ka kthim prapa”

Thaçi: “Krijimi i ushtrisë së Kosovës nuk ka kthim prapa”

Kosova nuk do të konsultohet për interesat e saj strategjike me Serbinë, ka deklaruar presidenti Hashim Thaçi. Komentet, ai i bëri gjatë një takimi me mediat serbe në Çagllavicë, ku ka folur per nismat e fundit, kryesisht themelimin e ushtrisë së Kosovës. Lidhur me kundërshtimet e Beogradit për themelimin e ushtrisë, Thaçi tha se dialogu me Serbinë ka si qëllim normalizimin e marrëdhënieve, por nuk do të përfshijë edhe çështjet e interesave që i takojnë shtetit të Kosovës.“Vuçic mund të bëj fushatë në Serbi edhe t’i fitoje zgjedhjet, por ushtria e Kosovës do të themelohet”, ka deklaruar ai. Po ashtu, ka nënvizuar Thaçi, edhe zhurma politike që po zhvillohet në Serbi rreth pronave publike, është pjesë e fushatave zgjedhore. “Serbia nuk ka prona në Kosovë. Prona publike është pronë e Kosovës, ka thënë ai. Në bashkëbisedimin me mediat serbe, Thaçi foli kryesisht per nismën për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision ushtarak. Ai tha se çdo veprim eshte ndërmarrë në harmoni me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës. Me ligjin e ri, ai tha se Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë përgjegjësi shtesë, duke i dhënë misionin mbrojtës, ushtarak. Kjo Forcë, sipas tij, do të jetë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, por edhe në funksion të ruajtjes së paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë. Lidhur me përplasjet e nismës së tij me qëndrimet e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Thaçi ritheksoi se formimi i ushtrisë përmes ndryshimeve kushtetuese, siç kërkon faktori ndërkombëtar, është bërë i pamundur për shkak të qëndrimeve të Listës Serbe, e cila paraqet vullnetin e politikës së Serbisë kundrejt Kosovës.