KRYEFAQJA » LAJME » Thaçi në Bruksel: Kosova e përkushtuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë
thaci

Thaçi në Bruksel: Kosova e përkushtuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shumë më të mira se prezantohen në opinion, ka deklaruar në Bruksel, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Këto komente ai i bëri gjatë një ligjërate kushtuar Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Këshilli Evropian për Politikë të Jashtme. Thaçi ka premtuar se Kosova do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për normalizimin e raporteve me Serbinë fqinje. Presidenti Thaçi ka paralajmëruar se së shpejti do të formohet grupi punues për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Puna e këtij komisioni, ka thënë Thaçi, do të jetë në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel me Serbinë, në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe në kuadër të institucioneve të Kosovës. Presidenti i Kosovës ka thënë se që kur është zgjedhur në këtë post, shërben si element unifikues dhe se prej atij momenti në Kosovë, sipas tij, nuk ka pasur më as gaz lotsjellës e as hedhje të koktejeve të molotovit. Presidenti Thaçi ka thënë se respekton mendimin e të gjithëve, por nuk mund të jetë dakord me ata që kundërshtojnë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, duke u vënë kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Prandaj, ka paralajmëruar se Kosova do ta ratifikojë këtë Marrëveshje në Kuvend. Duke folur për raportet me vendet e rajonit, Thaçi ka thënë se Kosova ka raporte shumë të mira me këto shtete, ndonëse problemet kryesore mbeten në raportet me Bosnje e Hercegovinën, për shkak të bllokadave që në atë shtet paraqet entiteti Republika Srpska. Presidenti i Kosovës ka tërhequr vërejtjen se nëse Bashkimi Evropian krijon hapësirë të zbraztë në rajon, atëherë këtë mund të shfrytëzojë si mundësi, Rusia. Ai ka thënë se në Bruksel ndoshta ka lodhje nga zgjerimi, por në Ballkan ka lodhje nga pritja.