KRYEFAQJA » LAJME » Thaçi në Bullgari: Të tejkalojmë armiqësitë e shekullit të kaluar
hashim-thaci-bullgari

Thaçi në Bullgari: Të tejkalojmë armiqësitë e shekullit të kaluar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po merr pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) në Sofje të Bullgarisë, e cila sivjet ishte kryesuese e këtij procesi të rëndësishëm. Me moton “SEECP – 20 vite kyçi i bashkëpunimit rajonal”, shteti bullgar përfundon mandatin e tij si kryesues. Në këtë samit, ku po marrin pjesë gjashtë presidentë të shteteve të Evropës Juglindore, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është shumë i rëndësishëm për të diskutuar për hapat e ardhshëm për rajonin, në kontekst të integrimit rajonal dhe të integrimit në BE e NATO, veçanërisht në këto kohë plot sfida për rajonin dhe BE-në. “Po takohemi në një moment të rëndësishëm për rajonin, moment kur duhet të hedhim hapa konstruktivë drejt integrimit tonë. Komunikimi mes palëve të rajonit nuk është më çështje. Takimet, bisedat, dialogu mes të gjithëve në rajon tanimë është normalitet. Është koha për të ndërtuar mirëbesim mes nesh, mes popujve dhe vendeve tona. Na takon neve si liderë politikë të dëshmojmë se kemi tejkaluar armiqësitë e shekullit të kaluar dhe se jemi të përkushtuar të ndërtojmë të ardhme në paqe, stabilitet dhe miqësi. Forumet si SEECP janë platforma ku ne premtojmë se do të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, se do të përkrahim sinqerisht njëri-tjetrin, por edhe tërë rajonin në ndërtimin e të ardhmes më të mirë për të gjithë. Duke ndërtuar bashkëpunim dhe miqësi, ndërtojmë edhe besim që reflekton në tërë shoqëritë tona”, ka thënë presidenti Thaçi. Prioritete të udhëheqjes së SEECP nga Bullgaria ishin kryesisht politikat për migracionin dhe përballimin e refugjatëve, pastaj ato për lirinë e mediave dhe fjalën e lirë, si dhe për zhvillimin e ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike, të cilat kërkojnë bashkëpunim më aktiv dhe veprime të përbashkëta. Në fund të samitit do të miratohet edhe deklarata jubilare, që pasqyron arritjen e SEECP gjatë dy dekadave të fundit dhe vëmendje e veçantë në të do t’i kushtohet edhe veprimeve të përbashkëta për zhvillim e ardhshëm të Evropës Juglindore.