KRYEFAQJA » LAJME » Thaçi në Slloveni: Marrëdhëniet mes dy vendeve, të shkëlqyera

Thaçi në Slloveni: Marrëdhëniet mes dy vendeve, të shkëlqyera

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nisi sot një vizitë zyrtare dy-ditore në Slloveni, ku u prit nga homologu i tij, presidenti slloven Borut Pahor dhe nga zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit. Në Ljubljanë, presidenti Thaçi u takua edhe me kryeministrin slloven, Miro Cerar dhe kryetarin e bashkisë së kryeqytetit, Zoran Jankoviç. Me zyrtarët vendas, presidenti Thaçi bisedoi për një varg çështjesh me interes dypalësh. Thaçi dhe Pahor i vlerësuan si shumë të mira marrëdhëniet mes dy vendeve, ndërsa në takim u vlerësua përvoja sllovene në procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE dhe ndihma që mund t’i japë Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit në këtë drejtim. Ditën e dytë të vizitës, presidenti Thaçi, do të marrë pjesë në forumin e biznesit Slloveni-Kosovë, të organizuar nga Dhoma për Ekonomi dhe Industri e Sllovenisë, ku do të pritet nga presidenti slloven Pahor dhe përfaqësues të biznesit vendas.