KRYEFAQJA » LAJME » Thaçi për Wall Street Journal: Kosova nuk është djep i ekstremizmit
tahci

Thaçi për Wall Street Journal: Kosova nuk është djep i ekstremizmit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistën për gazetën e njohur amerikane “The Wall street Journal”, i është përgjigjur kritikave ndaj vendit të tij për sa i përket luftimit të ekstremizmit islamik, duke thënë se shteti i tij më i riu në Evropë, po zhvillon luftë të ashpër kundër elementëve radikalë. Sipas qeverisë, gjatë pesë viteve të fundit, rreth 300 kosovarë, nga një popullsi prej 1.8 milion banorë, me shumicë myslimane, i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Në një artikull të botuar nga “The New York Times” muajin që shkoi, në shkrimin që shkaktoi reagime të ashpra nga qeveria kosovare, thuhej se klerikët ekstremistë dhe grupe të financuara nga sauditët, në 15 vitet e fundit, e kanë shndërruar vendin në një “tokë pjellore” për Shtetin Islamik. Në intervistën për gazetën amerikane presidenti Thaçi nuk ka pranuar të komentojë shkrimin e New York Times, por reagoi ndaj, siç i quajti ai, pretendimet e “ekzagjeruara” të mediave. “Kosova nuk është djep i ekstremizmit”, ka thënë Thaçi. Kërcënimi radikal është sporadik, individual dhe i izoluar, shtoi ai. “Dua të ritheksoj se ne nuk e mohojmë se ka elemente ekstremiste, apo që ka edhe aspirata apo ambicie të grupeve të caktuara për të nxitur radikalizmin, theksoi presidenti Thaçi. Megjithatë, ai rikujtoi fjalët e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili kishte thënë në dhjetor 2015 në Prishtinë, se Kosova ka dhënë një shembull të fuqishëm për rajonin me arrestimin e ekstremistëve dhe me hartimin dhe miratimin e legjislacionit kundër terrorizmit. Thaçi pohoi se qeveria po punon në reformat për të parandaluar fondet nga jashtë të arrijnë në bashkësinë islame për ndërtimin e xhamive dhe edukimin e imamëve dhe shtoi se qeveria e tij planifikon të përpilojë rregullore përmes së cilave imamët do të detyrohen të arsimohen brenda sistemit të Kosovës e jo jashtë vendit.