KRYEFAQJA » LAJME » Thaçi president, urime dhe kundërshtime
Më 8 prill, Thaçi celebrohet si president i Kosovës

Thaçi president, urime dhe kundërshtime

Pavarësisht përplasjeve deri në ekstrem mes maxhorancës dhe opozitës në Kosovë, për zgjedhjen e presidentit Hashim Thaçi, këtij të fundit i kanë mbërritur menjëherë urimet e para si kryetari i ri i shtetit.
Presidentja në detyrë e Kosovës, Atifete Jahjaga duke uruar pasardhësin e saj të sapo zgjedhur , i ofron bashkëpunimin e plotë për një tranzicion të suksesshëm mes dy presidentëve, “në përputhje me Kushtetutën dhe normat demokratike të cilat do të forcojnë institucionet demokratike të Kosovës dhe do të kontribuojnë në konsolidimin demokratik të vendit” shkruhet në një komunikatë për mediat.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie ka uruar Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Ne presim të vazhdojmë marrëdhënien tonë të fuqishme me popullin e Kosovës. Njerëzit që kanë hedhur koktej Molotovi dhe gaz nuk i kanë bërë mirë Kosovës dhe vazhdoj ta kundërshtoj përdorimin e dhunës për të arritur qëllimet politike” tha zoti Delawie.
“Urime Zoti President! Kam bindjen do të jesh në lartësinë e detyrës, e uroj suksesi i parë të jetë tejkalimi i krizës ‪#‎KosovësiDuhenTëGjithë” shkruan në Fejsbuk kryeministri shqiptar Edi Rama.
Edhe ministri i jashtëm austriak Sebastian Kurz ka uruar Hashim Thaçin për zgjedhjen në postin e Presidentit. “Urime Hashim Thaçit të Republikës së Kosovës për fitoren në zgjedhjen e sotme të Presidentit. I brengosur për dhunën që e shoqëroi zgjedhjen e tij, bëj thirrje për pajtim” shkruan Kurz.
Ndërsa Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i ka shprehur urimet më të sinqerta Hashim Thjaçit për zgjedhjen President i Kosovës. “Dje luftuam së bashku për Kosovën e pavarur, të lirë dhe demokratike, më pas bashkëpunuam ngushtë si drejtues të shumicës së qytetarëve në dy vendet tona, ndërsa nga sot, si i pari i Republikës së Kosovës, ju ftoj që të thellojmë bashkëveprimin tonë dhe t’i futemi punës për t’i përafruar qytetarët tanë edhe më shumë në drejtim të largimit të edhe atyre pak vijave ndarëse midis nesh”, shkruan  zoti Ali Ahmeti.
Por përkurndër urimeve, ndaj zoti Thaçi kanë mbërritur edhe kundërshtimet. Opozita kosovare ka deklaruar vendimin e saj për të qenë kundërshtare e zotit Thaçi.Tre liderët e opozitës, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj kanë dale në një konferencë për media.
Kreu i Vetëvendosjes Visar Ymeri, tha se Hashim Thaçi nuk mund të jetë president i Republikës së Kosovës, pasi sipas tij, ai u zgjodh me anë të ndërhyrjeve të dhunshme policore ndaj deputetëve të opozitës dhe qytetarëve protestues. “Sot Kosova e ka në maje të shtetit një njeri, i cili nuk do ishte aty pa përkrahjen e Serbisë”, tha zoti Ymeri.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria Thaçi-Mustafa është e dështuar. “Është konstatim i të gjithëve se regjimi Mustafa Thaçi ka dështuar në politikën e jashtme dhe në anëtarësimin në UNESCO”, tha ai. Sipas zotit haradinaj shkelësit e Kushtetutës do të ndëshkohen nga qytetarët. “Jemi të vendosur të vazhdojmë deri në zmbrapsjen e këtyre që kanë kap shtetin e Kosovës”, tha kreu i AAK.
Fatmir Limaj, lider i NISMË-s për Kosovën, paralajmëroi se opozita do ta vazhdojë kauzën e saj. “Mbi 70 për qind të qytetarëve të Kosovës janë të pakënaqur me zhvillimet në Kuvend. Ishte një derë e vogël sa ishte institucioni i presidentes dhe një mundësi për të dalë nga kriza, por nga sot u përmbyll edhe kjo derë” tha zoti Limaj.