KRYEFAQJA » LAJME » Thaçi presidentit të Parlamentit Evropian: Vizat të hiqen sa më parë
thaci_1466439414-4679525

Thaçi presidentit të Parlamentit Evropian: Vizat të hiqen sa më parë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Bruksel për një vizitë zyrtare, ka takuar Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Shulc. Thaçi njoftoi Shulc për zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë punën e vendit tonë për liberalizimin e vizave. Me të, Thaçi ka biseduar për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, të cilit i ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për ndërmarrjen e këtij hapi. “Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe pret një vendim nga Bashkimi Evropian për punën e bërë nga institucionet e vendit”, ka thënë presidenti Thaçi. I pari i vendit theksoi se Kosova mbetet e angazhuar në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit, ndërsa e falënderoi presidentin Shulc për angazhimin e tij, të raportueses së BE-së, Tanja Fajon, si dhe të Parlamentit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme dhe për shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Nga ana tjetër, Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Shulc, theksoi se liberalizimi i vizave është tema kryesore që shqetëson Kosovën në marrëdhëniet e saj me BE-në. Ai ka shprehur bindjen se për Kosovën do të ketë një vendim të merituar për angazhimin e saj në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.