KRYEFAQJA » LAJME » Thaçi president: Do t’ju shërbej qytetarëve dhe Republikës së Kosovës
Thaçi zgjidhet presidenti i ri i Kosovës

Thaçi president: Do t’ju shërbej qytetarëve dhe Republikës së Kosovës

Kreu i PDK Hashim Thaçi, partia më e madhe në Kosovë, do të jetë presidenti i ri i saj. Salla shpërtheu në duartrokitje kur numëruesja e votave lexoi votën që i jepte atij fitoren. Zoti Thaçi u zgjodh në raundin e tretë me 71 vota pro, përkundër asnjë vote të rivalit të tij nga PDK Rafet Rama, ndërsa 10 vota ishin të pa vlefshme.
Deputetët përkrahës e përshëndetën dhe e uruan zotin Thaçi i cili dukej mjaftë i kënaqur. Në fjalën e tij ai falenderoi për besimin e dhënë dhe u zotua se do ti shërbejë vendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Zgjedhja e zotit Thaçi u prit me entuziazëm nga përkrahësit e tij të cilët hodhën fishekzjarre.
Por atmosfera e ditës së sotme ka qenë mjaftë e tensionuar. Tre partitë opozitare VV, AAK dhe Nisma e kundërshtuan hapur kandidaturën e tij. Ndër të tjera ato e akuzojnë zotin Thaçi jo vetëm për marrëveshjet me Serbinë sipas tyre në dëm të Kosovës, por edhe se po synon të vendosi nën kontroll gjithçka në vend. “Ai nuk është shprehës i unitetit të popullit”, tha një prej deputetëve të opozitës.
Në terren ka patur përplasje mes policisë dhe protestuesve antiqeveritarë përkrahës të opozitës. Këta të fundit kanë hedhur gurë dhe përdorur shishe me benzinë. Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe ka kryer arrestime. Përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar u kanë bërë thirrje partive politike të gjejnë gjuhën e përbashkët për të ulur tensionet.