KRYEFAQJA » LAJME » “The Heritage Foundation” jep vlerësimin për lirinë e tregtisë në Shqipëri
"The Heritage Foundation" jep vlerësimin për lirinë e tregtisë në Shqipëri

“The Heritage Foundation” jep vlerësimin për lirinë e tregtisë në Shqipëri

Organizata prestigjoze ndërkombëtare “The Heritage Foundation” në bashkëpunim me “Wall Street Journal” ka publikuar të dhënat më të fundit për treguesin e Lirisë së Tregtisë për raportin e vitit 2016 të Lirisë Ekonomike, që pritet të dalë së shpejti, ku janë renditur 177 vende të botës. Në analizën e “The Heritage Foundation”, vendet që kanë marrë pikë të larta për treguesin e Lirisë së Tregtisë kanë të ngjarë të kenë më shumë të ardhura për frymë, nivel më të ulët varfërie dhe një mjedis më të pastër.

Shqipëria renditët në vendin e 33-të për sa i përket treguesit të Lirisë së Tregtisë, duke lënë pas vendet e rajonit si edhe vende të Bashkimit Evropian si Kroacia dhe Greqia. I marrë ndër vite, treguesi i Lirisë së Tregtisë për Shqipërinë ka pësuar rritje, mbi mesataren botërore duke filluar nga viti 2006. Gjatë viteve 2013 dhe 2014 të dhënat kanë treguar se vendi ynë është renditur për herë të parë në 40-shen e parë në shkallë botërore. Renditjen në vendin e 33-të që ka marrë së fundmi Shqipëria, është renditja më e mirë e të gjitha kohërave për vendin tonë. Treguesi i Lirisë Ekonomike lidhet ngusht me tarifat e ndryshme të një vendi që mundësojnë apo jo lehtësinë në eksporte dhe importe.