KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » “Thesare të shpëtuara” ekspozohen në Muzeun Historik Kombëtar

“Thesare të shpëtuara” ekspozohen në Muzeun Historik Kombëtar

Është zgjedhur 29 shtatori, dita kombëtare e trashëgimisë kulturore, për çeljen e ekspozitës “Thesare të shpëtuara” në Muzeun Historik Kombëtar. Është fjala për rreth 476 objektet ikonografike dhe dekorative të sekuestruara tre vjet më parë, ndërkohë që ato vijnë para publikut të regjstruara, kataloguara dhe kartelizuara nga një staf profesionistësh prej 15 vetësh. Sipas ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, tashmë këto vlera të trashëgimisë sonë kulturore të shkulura nga Kishat e Jugut të Shqipërisë, janë pasuri shtetërore. Grupi i punës, mes të cilëve studiuesja Suzana Kuka, ka përzgjedhur për ekspozitën 62 objekte, nga të cilat 27 janë ikona, 14 pjesë ikonostasi, si edhe 4 kryqe ikonostasi. Objektet e sekuestruara tre vjet më parë fillimisht qëndruan në Galerinë e Arteve. Pas vendimit të gjykatës për kalim në pronësi të shtetit, ato u zhvendosen në Muzeun Historik Kombëtar ku dhe u trajtuan nga ekspertët në fjalë. Më vonë ato do të çohen në muzetë ikonogafike të Korçës dhe Beratit.