KRYEFAQJA » LAJME » Thirrja për armatosje, PS padit në prokurori Berishën
Thirrja për armatosje, PS padit në prokurori Berishën

Thirrja për armatosje, PS padit në prokurori Berishën

Partia Socialiste ka paditur të premten në prokurori ish-kryeministrin Sali Berisha, pas thirrjeve të tij një javë më parë në sallën e parlamentit drejtuar popullatës për tu armatosur. Ndonëse zoti Berisha tha më pas se thirrja drejtuar qytetarëve  të armatosen kishte si  qëllim hartimin e një ligji për armatosjen e popullatës për t’u mbrojtur nga bandat kriminale të qeverisë, maxhoranca e konsideroi si thirrje për luftë civile dhe vepër të rëndë penale.  Nga ana e saj  Byroja e Kuvendit vendosi  javën e kaluar përjashtimin e zotit Berisha me 10 ditë nga punimet e parlamentit. Në shenjë solidariteti edhe grupi parlamentar i PD vendosi që të bojkotojë punimet e kuvendit, për 10 ditë, po aq sa ishte dënuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas ligjit shqiptar thirrja publike për armatosjen e popullatës dënohet me 5 – 10 vjet heqje lirie. Ngjarja ka tensionuar marrëdhëniet mes maxhorancës dhe opozitës. Kryeministri socialist Edi Rama i konsideroi deklaratat e paraardhësit të tij si një tentativë për të penguar Reformën në Drejtësi.