KRYEFAQJA » LAJME » TIA replikon me policinë për sigurinë e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”
TIA replikon me policinë për sigurinë e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”

TIA replikon me policinë për sigurinë e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”

Pesë ditë pas vjedhjes spektakolare në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, zyrtarët e këtij të fundit kanë deklaruar se informacionet e Policisë së Shtetit në lidhje me këtë ngjarje nuk janë të sakta. Në një dalje të hënën para mediave drejtoresha e marrëdhënieve me publikun e TIA-s, Arlinda Çausholli, tha se “Kemi ndjekur me shqetësim raportimet e Policisë së Shtetit. Ne e kemi njoftuar në kohë policinë, kur makina bashkë me autorët ishte ende në vendngjarje” tha ajo. Sipas zonjës Çausholli “Kompania ICTS është përgjegjëse vetëm për sigurinë aeroportuale dhe kjo nuk e zëvendëson apo zvogëlon përgjegjësinë e Policisë së Shtetit”. “ICTS është e paarmatosur dhe nuk ka të drejtë të ndërhyjë fizikisht. Jashtë gardhit, nga ku ka hyrë makina, është përgjegjësi e Policisë së Shtetit. Policia duhet të sigurojë forca për të parandaluar aktivitetet e paligjshme” tha drejtoresha Çausholli.
Më parë policia kishte deklaruar se ajo nuk kishte përgjegjësi për sigurinë e perimetrit të aeroportit dhe se në rastin e ngjarjes ajo ishte njoftuar me vonesë nga TIA.