KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » TIFF i 14-të çelet me Home Sweet Home

TIFF i 14-të çelet me Home Sweet Home

Tirana International Film Festival çeli siparin e vet të 14-të mes vështirësive financiare por me pasionin e pashtershëm për kinemanë. Komuniteti i kineastëve shqiptarë dhe të huaj të ardhur nga të gjithë anët e botës në Tiranë kanë patur një moment reflektimi ndaj traditës kur drejtori i TIFF Agron Domi i dorëzoi kineastit shqiptar kupën e mirënjohjes për kontributin e tij në traditën e kinematografisë.

Ndërkaq gara zyrtare për kategorinë feature është çelur nga filmi nga Kosova “Home sweet home” me regji nga Faton Bajraktari sipas të cilit po lobohet fort për ta futur këtë film në shortlistën për filmat e huaj për Oscar.

Home Sweet Home ia doli të përlotë publikun e pranishëm me historinë e dhimbshme të heroit interpretuar (nga Donat Qosja) që kthehet pas një kohe të gjatë në shtëpi ku e dinin të vdekur. Përkrah tij ka një rikthim të aktores Arta Mucaj në ekranin e madh. Një fabul dramatike e mbajtur pezull me ngjyra ironie na rrëfen në ditët e zymta të një të kthyeri nga të vdekurit e ku tashmë familjes dhe miqve ju shërben më shumë si hero i vdekur se sa i gjallë.