KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Tirana në verë
universiteti, tirana, ditet e veres

Tirana në verë

Tirana shfaqet jo pak e zbrazët këto ditë pushimesh. Gati të përgjysmuara sheh automjetet në bulevardin kryesor apo në çdo rrugë. Kalimtarë të rralluar në trotuare, sheshe, edhe ata këto ditë në Tiranë i mban sidomos puna. Ose sa janë kthyer nga pushimet, ose sapo do të nisen. Parqet po ashtu, ku gumëzhojnë fëmijë e të rritur, këto ditë gushti i gjen edhe kështu. Edhe baret mbeten jo pak herë krejt bosh, ose me klientë të përgjysmuar.  Ata që nuk mungojnë në rrugët e Tiranës janë punonjësit e bashkisë, policia, pastruesit e makina lagëse e rrugëve apo ambulancat. Por nuk mungojnë asnjë ditë edhe turistët. Herë me grupe të mëdha, herë të vogla apo individuale, Tirana është destinacioni i tyre, por më shumë qyteti tranzit për t’u nisur drejt Jugut apo Veriut të Shqipërisë.