KRYEFAQJA » LAJME » Euro 2016 » Tirana, përgatitje për pritje madhështore të kuqezinjve
tirana fan zone, pritja e kombetares, feste, ora 17 00

Tirana, përgatitje për pritje madhështore të kuqezinjve

Në Tiranë kanë filluar përgatitjet për të pritur ekipin kombëtar shqiptar pas pjesmarrjes në “Euro 2016”. Ndonëse nuk arriti të kalonte turin e parë, përfaqësimi për herë të parë i Shqipërisë në një ngjarje të këtij niveli, po konsiderohet sukses dhe pjestarët e ekipit si heronj. “Le t’u dhurojmë heronjve tanë një festë të paharrueshme mikpritjeje, në shenjë mirënjohje e respekti për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për fanellën dhe imazhin e Shqipërisë” tha me këtë rast kryeministri Edi Rama.
Avioni i kombëtares pritet të mbërrije në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” rreth orës 15.00, ku ekipi do të pritet prsonalisht nga kryeministri Rama me të gjitha nderimet ushtarake dhe rojen e nderit. Më pas, skuadra do të udhëtojë drejt Tiranës me një autobuz të hapur dhe ndalesën e parë do të bëjë përpara Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj do t’ju dorëzojë djemve të kombëtares simbolin e Tiranës, çelësin e qytetit.
Ndalesa e dytë për kombëtaren do të jetë Ministria e Punëve të Jashtme, ku ministri Bushati do të presë djemtë të cilet do të bëjnë me këtë rast edhe aplikimet për pasaporta diplomatike, premtim i dhënë nga kryeministri Rama.
Ndalesa e trete do të jetë në selinë e qeverisë ku kryeministri Rama do të organizojë pritjen zyrtare të skuadrsës kombëtare në prani edhe të futbollistëve më të shquar kuqezi ndër vite.
Etapa tjetër do të jetë sheshi Nënë Tereza, pikërisht Fun Zone nga ku qytetarët e Tiranës ndoqën me emocion ndeshjet e kombëtares. Në Fun Zone do të ketë një koncert madhështor me DJ dhe këngëtare të njohur, ndërkohë që djemtë e kombëtares do të kenë mundësinë t’u flasin sportdashësve shqiptarë nga një skenë e ngritur posaçërisht për këtë ditë. Në mbrëmje, Kryeministri Rama do të shtrojë një darkë në nder të ekipit kuqezi, ku do të marrin pjesë personalitete të larta të shtetit shqiptar dhe të Kosovës.