KRYEFAQJA » LAJME » Tirana – Smart City
Tirana

Tirana – Smart City

Bashkia e Tiranës prezantoi të mërkurën në konferencën e donatorëve, 112 projekte. Të ndarë sipas prioriteteve ata synojnë zhvillimin ekonomik, rural, social, jetën në qytet dhe transportin.
Vizioni i ri i Bashkisë është transformimi i Tiranës nga një qytet që orvatet çdo ditë për të ofruar shërbimet bazike tek qytetarët e saj, në një qytet që është i miqësor dhe lehtësisht i aksesueshëm për qytetarët apo turistët.
Për sa i përket zhvillimi të jetës në qytet, Bashkia e Tiranës propozoi projekte për korsi të dedikuar biçikletash, në disa prej akseve kryesore të qytetit. Një tjetër projekt ka të bëjë me korsi të dedikuar për autobusë përgjatë bulevardit ku kalon Lumi Lanës. Bashkia ka prezantuar projektin për vendosjen e semaforëve LED në të gjitha kryqëzimet.
Ndër projektet madhore që synon Bashkia e Tiranës janë terminali perëndimor, parkingjet nëntokësore, mbikalimet, projektet per tram dhe tren në Tiranë, si dhe projekti për pusetat plastike dhe makineri për pastrimin e kanaleve të ujërave të zeza.
16 projekte që kanë në thelb zhvillimin e qytetit dhe u prezantuan përpara donatorëve, kishin në fokus ekonominë. Disa prej tyre kanë të bëjnë me zhvillimin e zonës teknologjike dhe ekonomike, promovimin e produkteve e “Made in Tirana”, krijimin e portalit të punëismit për Bashkinë e Tiranës, ngritjen e zyrës së karrierës, transformimin e Tregut Çam në një zonë zhvillimi ekonomik dhe ngritjen e inkubatorit të biznesit social.
21 projekte të tjera i përkisnin zhvillimit social. Në vend të parë ishte përmirësimi i kushteve për komunitetin rom dhe egjiptian, rikonstruksioni i disa shkollave, hapja e një qendre sociale ditore në Krrabë, mbrojtja dhe zhvillimi i fëmijëve dhe projekte të tjera.
Jeta në qytet, u prezantua me 57 projekte. Përmes këtyre projekteve Bashkia e Tiranës synon kryesisht shtimin e hapësirave të gjelbra. Disa prej projekteve të kësaj kategorie janë për krijimin e serave për prodhimin e pemëve për mbjellje në qytet, park aventurash, pika informacioni për parqet, zhvillimin e Parkut të Pëllumbasit, krijimin e Parkut të Tulipanave, park lojërash për personat me aftësi të kufizuar, pika monitorimi për cilësinë e ajrit, krijimi e parkut sportiv për motorra etj.
Një tjetër fokus në këtë konferencë i është dhënë zhvillimit rural, ku u prezantuan projekte mbi krijimin e hartës dixhitale për prodhimet bujqësore, ngritja e qendrës së këshillimit për fermerët, zhvillimi i agroturizmit në Ndroq dhe aplikimi i projektit agroturizëm i qendrueshëm për zhvillimin lokal në Pezë.Sipas organizatorëve të konferencës, me këto projekte synohet të prezantohen zgjidhje efektive, të cilat ulin kostot, ulin përdorimin e burimeve të limituara apo të fundme si dhe angazhojnë të gjithë aktorët e shoqërisë në zhvillimin e saj. Për arritjen e këtij vizioni, Bashkia e Tiranës synon të krijojë lidhje të forta mes qeverisë lokale, sektorit privat, investitorëve vendas e të huaj, donatorëve, e institucioneve që ofrojnë ekspertizë në fusha të ndryshme dhe më e rëndësishmja qytetarëve.