KRYEFAQJA » LAJME » Tiranë, Adem Demaçi nderohet me titullin “Qytetar Nderi”
Tiranë, Adem Demaçi nderohet me titullin “Qytetar Nderi”

Tiranë, Adem Demaçi nderohet me titullin “Qytetar Nderi”

Bashkia e Tiranës ka nderuar me 28 Nëntor politikanin dhe shkrimtarin e njohur kosovar, Adem Demaçi, me titullin “Qytetar Nderi”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka dorëzuar Adem Demaçit titullin “Qytetar Nderi” si dhe “Çelësin e Qytetit” me motivacionin e intelektualit të shquar, simbol i rezistencës së gjithanëshme, për liri, pavarësi dhe prosperitet, për kontributin dhe sakrificat e tij ekstreme, dhe popullit të pavarur të Kosovës, si dhe për forcimin e lidhjeve tradicionale mes qytetarëve të të njëjtit Komb.
Në fjalën e tij të rastit, kryebashkiaku Veliaj u shpreh i lumtur që i jepej mundësia që t’i dorëzonte këtë titull nderi një figure kaq të madhe të çështjes shqiptare, aq më shumë kur një ditë e tillë përkoi edhe me festën e Pavarësisë së Shqipërisë.”Është shumë me vend që në një ditë si kjo të kujtojmë, jo vetëm ato figura që luftuan e shpallën pavarësinë tonë të parë, 104 vite më parë, por çdo shqiptar të mirë që ka luftuar për çështjen shqiptare” tha zoti Veliaj. Ai e cilësoi zotin Demaçi si një patriot i madh dhe një figurë qendrore në luftën për pavarësinë e Kosovës. “Ishte besimi te drejtësia e kauzës për të cilën po sakrifikonte, që e bëri Adem Demaçin, Mandelën e Ballkanit, të duronte aq shumë dhe pa u dorëzuar dhe pa asnjë kompromis” tha zoti Veliaj.
Duke vlerësuar Bashkine e Tiranës për këtë vlerësim, zoti Adem Demaçi tha se ka qenë një dëshirë e tij e përhershme që të gjithë shqiptarët të festonin të lirë pavarësinë e tyre. “Ju falenderoj juve, vëllezërit e pamvarshëm të Shqipërisë, të cilën e kemi dashur të gjithë, se jemi edhe ne njësoj si ata. Prandaj, dhe kënaqësia është shumë e madhe, dëshira juaj ka qenë shumë e madhe për ne, e fortë. Kemi dëshiruar që të vijmë gjithmonë, e të jemi gjithmonë këtu me ju. Ne mendojmë se nuk jemi vetëm Shqipëri dhe shqiptarë, por dëshirojmë që të jemi edhe më të plotë. Prandaj, e duam vendin tonë këtu, që të mos ta harrojmë kurrë dhe të jemi aty ku kemi lindur” tha zoti Adem Demaçi.