KRYEFAQJA » LAJME » Tiranë, bashkia ndërhyn në rrjetin e amortizuar të kanalizimeve

Tiranë, bashkia ndërhyn në rrjetin e amortizuar të kanalizimeve

Banorët e Rrugës Siri Kodra në Kryeqytet së shpejti nuk do të përballen më me përmbytjet që shkaktoheshin sa herë binte shi. Një investim i ri i bashkisë në sistemin e kanalizimeve pritet t’i japë shumë shpejt zgjidhje këtij problemi. Në Javën Kombëtare të ujit, Kryebashkiaku Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetët socialistë Ervin Bushati dhe Sadri Abazi, inspektuan nga afër punimet që po kryhen në këtë rrjet ku nuk është vënë dorë prej 50 vitesh. Zoti Veliaj kujtoi se përveç përgjegjësisë që ka bashkia në menaxhimin e situatave me reshje të dendura, duhet edhe angazhimi i qytetarëve. Për kryebashkiakun e Tiranës, përveç investimit në rrjetin e kanalizimeve, këtë vit do të vijojë puna për rehabilitimin dhe urbanizimin e zonës me kënde lojrash dhe shkolla të reja.