KRYEFAQJA » LAJME » Tiranë, mblidhet Asambleja Parlamentare e NATO-s

Tiranë, mblidhet Asambleja Parlamentare e NATO-s

Në Tiranë mblidhet të premten Asambleja Parlamentare e NATO-s. E organizuar për herë të parë nga Parlamenti i Shqipërisë, ajo do të ketë në fokus një sërë prioritetesh që lidhen me sigurinë në zonën Euro-Atlantike. Si pjesë e axhendës,  ligjvënësit do të përshëndesin ftesën drejtuar Malit të Zi për t’u bërë anëtar i i 29-të i NATO-s, ndërsa Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij malazez, Milo Gjukanoviç do të mbajnë fjalën vetëm pak ditë pasi Ministrat e Jashtëm të Alancës të nënshkruajnë protokollin e pranimit me Malin e Zi gjatë takimit të tyre në Bruksel. Gjithashtu, ligjvënësit do të rishikojnë arritjet e Misionit Mbështetës të NATO-s në Afganistan, për të cilin Ministrat e Jashtëm vendosën ta zgjasin atë edhe gjatë vitit 2016. Gjatë tre ditëve, Asambleja do të mbledhë në Tiranë më shumë se 250 delegatë ku do të miratohet dhe deklarata e titulluar “Një Axhendë e përbashkët dhe Rezolutë për Naton-n në Samitin e Varshavës”.