KRYEFAQJA » LAJME » Tiranë, prezantohet “Programi për Zhvillim të Qëndrueshëm, 2030”
Tiranë, prezantohet "Programi për Zhvillim të Qëndrueshëm, 2030”.

Tiranë, prezantohet “Programi për Zhvillim të Qëndrueshëm, 2030”

Në selinë e qeverisë shqiptare, të hënën u prezantuan 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të cilat u miratuan në Samitin e Kombeve të Bashkuara, të zhvilluar në New York nga data 25-27 shtator. Miratimi u bë prej 150 udhëheqësve nga e gjithë bota, midis tyre edhe kryeministri Edi Rama. Programi i ri titullohet: “Ta transformojmë botën: Programi për Zhvillim të Qëndrueshëm, 2030”.
Objektivat e miratuara synojnë zhdukjen e varfërisë ekstreme, duke luftuar pabarazinë, fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave, mbrojtjen e burimeve natyrore, përmirësimin e qeverisjes, inkurajimin e një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, dhe përqendrimin e përpjekjeve kolektive për të siguruar që ata që kanë më së shumti nevojë të mund të kenë një shans të barabartë në jetë. Ky program historik do të shërbejë si pikënisje për veprim nga bashkësia ndërkombëtare dhe qeveritë kombëtare për të nxitur prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë, në 15 vitet në vijim.
Në përfundim të ceremonisë koordinatorja e përhershme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësuesja e përhershme e PNUD në Shqipëri, zonja Zineb Touimi-Benjelloun i dorëzoi në mënyrë simbolike zëvendëskryeministrit Niko Peleshi flamurin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.