KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Tiranë, restaurohet dhe hapet për publikun Kulla e Sahatit dhe Muzeu i brendshëm i saj

Tiranë, restaurohet dhe hapet për publikun Kulla e Sahatit dhe Muzeu i brendshëm i saj

Restaurohet dhe hapet për qytetarët Kulla e Sahatit dhe muzeu i brendshëm i saj. Restaurimi është bërë nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, me mbështetjen e ambasadës amerikane dhe Dhomës Kombëtare të Tregtisë. Në ceremoninë e hapjes kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi simbolin e kryeqytetit si një vlerë historike e cila vijon të dëshmojë për vazhdimësinë e gjërave.
“Sahati është një monument qëndrese, një monument që na kujton vijueshmërinë, por sigurisht është edhe një monument ndryshimi, i cili është bërë më i përsosur teksa ka ndryshuar. Ndaj, besoj se puna që kanë bërë kolegët e Monumenteve të Kulturës për restaurimin e tij, tregojnë se ne mund të ruajmë duke u kujdesuar që gjërat nuk prishen, që gjërat të riparohen, që gjërat të ndriçohen, që fasadat të pastrohen”, u shpreh kryebashkiaku.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, theksoi se monumenti, përveç vlerave historike është edhe dëshmi e trashëgimisë tonë kulturore.
“Ajo që është e rëndësishme është se sot në Tiranë, por jo vetëm, kur flasim për trashëgiminë kulturore nuk flasim më për shkatërrime, nuk flasim për rrënim, por debati është për cilësi. Kështu që, përfitoj për të falenderuar të gjithë ata që me debatin e tyre, kritikat, sollën cilësinë e restaurimit në qendër të vëmendjes së debatit të shoqërisë. Ky është një hap shumë i madh përpara”, tha Kumbaro. Çdokush që dëshiron të sodisë Tiranën nga maja e kullës mund të përshkojë 90 shkallët e saj në formë spiraleje, në një lartësi prej 35 metrash për të soditur qendrën e kryeqytetit nga një kënd tjetër.