KRYEFAQJA » LAJME » Tiranë, rritet çmimi i biletave të urbanëve
Rikthehet konkurrenca shtet - privat

Tiranë, rritet çmimi i biletave të urbanëve

Duke filluar nga 1 shkurti biletat dhe disa abone të transportit urban në Tiranë do të rriten. Biletat do të kushtojnë 40 lekë nga 30 lekë aktualisht, aboneja e linjës nga 900 në 1200 lekë në muaj, ndërsa ajo e përgjithshme nga 1200 në 1600 lekë në muaj. E vetmja abone mujore që nuk do të ndryshojë është aboneja për studentët e cila do të mbetet 600 lekë.
PD e opozitës ka reaguar sërisht mjaftë ashpër ndaj vendimit të marrë nga shumica e majtë në Këshillin Bashkiak i Tiranës, më 30 dhjetor 2015, pas një propozimi të Bashkisë së Tiranës. Sipas saj kjo është një gjobë korruptive bërë në fshehtësi dhe pabesi nga kreu i bashkisë Erion Veliaj. “Janë 6 milionë dollarë në vit që qytetarët do të paguajnë më shumë për xhepin e Erion Veliajt dhe klientelës së tij. Partia Demokratike dhe këshilltarët e saj në Bashkinë e Tiranës do të ndjekin çdo rrugë ligjore për ta ndalur këtë vjedhje, këtë gjobë korruptive të kryemashtruesit Veliaj” shënon deklarata. Ndërkohë u bëhet “… thirrje qytetarëve t’i rezistojnë kësaj afere korruptive, të refuzojnë të japin parà për xhepat e Erion Veliajt dhe klientelës së tij”. “Ne i sigurojmë qytetarët e Tiranës se, sapo shqiptarët t’i besojnë Partisë Demokratike vendimmarrjen, çmimi i biletës do të reduktohet në 30 lekë dhe akciza e naftës për transportin publik në Tiranë e në të gjithë vendin do të hiqet” premtohet në deklaratën e PD.