KRYEFAQJA » LAJME » Tiranë, takim tre palësh Shqipëri, Itali, Serbi
Tiranë, takim tre palesh Shqipëri, Itali, Serbi

Tiranë, takim tre palësh Shqipëri, Itali, Serbi

Në Tiranë nis të mërkurën takimi tre palësh Shqipëri-Itali-Serbi i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal në kuadrin e integrimit europian. Mysafirë ministrit të jashtëm shqiptar Ditmir Bushati janë homologu i tij italian Paolo Xhentilioni dhe ai serb Ivica Daçiç. Nisma trepalëshe u iniciua më shumë se një vit më parë nga diplomacia italiane për të nxitur dialogun në Ballkan. Roma sheh te Tirana dhe Beogradi, dy faktorët më të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit.
Mësohet se në takim, tre shefat e diplomacisë do të diskutojnë projekte të përbashkëta konkrete me interes të ndërsjellë në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, energjisë, turizmit, arsimit, kulturës, bashkëpunimit rinor etj, duke u fokusuar në identifikimin e metodologjive të reja për realizimin konkret të tyre, por edhe në zgjerimin e mëtejshëm të nismave rajonale.
Duke fokusuar proçesin e Berlinit dhe Konferencat e Ballkanit Perëndimor në Paris 2016 dhe Romë 2017, si edhe çështje që kanë të bëjnë me sfidat e përbashkëta që po përballemi sot, takimi do të synojë përforcimin e urave të komunikimit konstruktiv mbi baza mirëkuptimi. Takimi i parë trepalësh në nivel ministrash mes Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, është zhvilluar në Romë më 23 janar 2015.