KRYEFAQJA » LAJME » Tiranës do t’i shtohet një landfill i ri; Veliaj: Në shtator nis të funksionojë kompania publike e pastrimit
veliaj

Tiranës do t’i shtohet një landfill i ri; Veliaj: Në shtator nis të funksionojë kompania publike e pastrimit

Tirana e shumëfishuar për nga sipërfaqja dhe numri i banorëve do të ketë edhe një landfill të ri për trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve. Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku i Tiranes, Erion Veliaj ndërsa bëri bilancin e një viti sa i përket pastrimit dhe gjelbërimit të kryeqytetit.“Të bëjmë bilanc sesi na shkuan punët, japim llogari, jemi transparent me qytetarët tanë. Rikthyem vlerësimin dhe besimin tek gjërat publike. Bilanci është transparencë për qytetarët tanë. Tirana pas nja viti është shumë më e pastër dhe e gjelbër seç ishte një vit më parë. Vendosëm tualete portative publike. Kemi nevojë për investime në infrastrukturë e kulturë. Sot kërkohet që atdheun të mos e bëjmë pis. Ne po e bëjmë Tiranën si gjithë Europa. Tiranën nuk mund ta vandalizosh, bësh pis apo shkatërruar. Anuluam kontratat për dy kompani që u vlerësuan shumë keq nga qytetarët. Krijuam kompani publike me bashkinë e Veronës për kalimin e ndërmarrjes së pastrimit në publike e jo private. Hoqëm 22 mijë ton mbetje urbane, por unë iu bëj apel qytetarëve: Pak më shumë kujdes në drejtim të mbajtjes pastër të ambientit. Sot kemi mbi 12 mijë pemë në Tiranë, në fund të mandatit Tirana do ketë 50 mijë pemë të reja. Kemi mbjellë më shumë se 1 mijë pemë në muaj. Nëse doni të sfidoni Bashkinë, mbillni pemë. Sot ka 28 mijë lule më kryeqytet’ tha ai.
Bashkia ka prishur kontratën me 2 kompani pastrimi të cilat nuk përmbushnin standadet e kërkuara. Veliaj lajmëroi se në shtator do të nisë të funksionojë kompania publike e pastrimit. “Në shtator, Tirana do ketë kosha të rinj mbeturinash dhe kompani të re publike, do ndalohet futja në çdo kosh dhe nxjerrja e plehrave jashtë për të kapur një kanaçe ose shishe plastike. Personat që zbrazin koshat, bashkia do i punësojë në impiantin e riciklimit që ne kemi në Sharrë. Sakaq, Tirana do të ketë lendfill të ri dhe modern. Për këtë kemi realizuar edhe takime me Ministrin e Mjedisit dhe Kryeministrin në mënyrë që kjo iniciativë të realizohet shpejt”, tha Veliaj.
Ndërsa i kërkoi qytetarëve të kontribuojnë për pastrimin e qytetit dhe të mos e vandalizojnë atë, kryebashkiaku u shpreh i vendosur për t’i shkuar deri në fund betejës ligjore për gjobën e papaguar nga PD. Veliaj tha se deri në fund të mandatit të tij në Tiranë do të mbillen 50 mijë pemë të reja. “Një nga çështjet që mori shumë debat, gjoba që i vumë një partie politike për vandalizimin. Si për të na provuar qyteti i Marsejës dhe UEFA u vuri 150 mijë euro gjobë tifozëve rrugaçë rusë që shkatërruan, bënë pis dhe vandalizuan Marsejën. Është shumë kollaj kur këta njerëz dalin dhe thonë e duam Tiranën si jashtë shtetit. Jemi dakord po e bëjmë ekzaktësisht si jashtë shtetit me të njëjtën shumë një tifozeri rrugaçësh, vandalësh, pisanjosësh prishi Marsejën dhe për ironi të fatit është e njëjta shumë që ne kemi gjobitur një parti politike për të dhënë një mesazh shumë të fortë. Tiranën nuk mund ta vandalizosh, nuk mund ta prishësh, nuk mund ta bësh pis. Mund të kesh bindjet e tua politike, bërtit sa të duash por nuk ke pse shkatërron. Jo vetëm jam i vendosur që ta fitoj atë gjyq dhe do ta fitoj atë gjyq, por jam i vendosur që kjo ngjarje të mos përsëritet kurrë nga asnjë parti politike. Diferencat politike janë të pranueshme, por asnjëherë nuk janë alibi për të shkatërruar Tiranën që e duam të gjithë njësoj dhe na shërben të gjithëve njësoj,” përfundoi Veliaj.