KRYEFAQJA » LAJME » Totozani: Minimumi jetik në Shqipëri është 16 mijë lekë në muaj
Totozani: Minimumi jetik në Shqipëri është 160 mijë lekë në muaj

Totozani: Minimumi jetik në Shqipëri është 16 mijë lekë në muaj

Në Shqipëri Avokati i Popullit ka bërë publike shumën minimale që i duhet një shqiptari për të jetuar, ose siç njihet ndryshe dhe minimumi jetik. Sipas Ilgli Totozanit, kreu i këtij institucioni, i cili i referohet një studimi të ndërmarrë nga ekspertë të pavarur të ekonomisë, për vitin 2015 ky minimum ka qenë 16 mijë lekë në muaj për frymë. Kjo shumë ndahet në “7089 lekë në muaj për shpenzime ushqimore dhe 8913 lekë në muaj për jo shpenzime ushqimore” tha zoti Totozani. Ai shtoi se “Në ndryshim nga studimet e tjera mbi nivelin e minimumit jetik vlera e përcaktuar nga ky studim merr në konsideratë edhe aspekte sociale dhe tendencat e konsumit në vendin tonë”.
Sipas Avokatit të Popullit Igli Totozani, niveli i minimumit jetik në Shqipëri luhatet përafërsisht në të njëjtat nivele me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Minumimi jetik i llogaritur prej 16 mijë lekë në muaj për frymë në Shqipëri, vërehet se luhatet përafërsisht në të njëjtat nivele me vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht me Serbinë dhe Maqedoninë. Kjo ngjashmëri me vendet e rajonit rrit kredibilitetin e vlerës së përllogaritur nga ky studim” tha zoti Totozani. “Me qëllim për t’u siguruar individëve një jetesë me dinjitet do të ishte e nevojshme ngritja e konceptetit mbi nivelin e minimumit jetik me atë të standardi jetese të arsyeshme që plotëson nevojat fizike, psikologjie dhe sociale të një personi” sugjeroi kreu i Avokatit të Popullit. “Me këtë nuk dua të them që shteti ti garantojë një personi një nivel luksi, por gjithashtu as nuk nënkuptohet se një person duhet të jetojë vetëm në nivelin e mbijetesës” shtoi më tej ai. Kjo është hera e parë që në Shqipëri përcaktohet vlera e miniumit jetik. Për një vend ky kalkulim është mjaftë i rëndësishëm. Minimumi jetik përbën edhe bazën mbi të cilat duhet të llogariten pagat, pensionet sociale, ndihma ekonomike, pagesa e paaftësisë dhe pagesa e papunësisë. Tashmë pritet reagimi i qeverisë lidhur me këtë çështje. Nëse u referohemi shifrave, rreth 79 mijë familje shqiptare, janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, që përfitojnë një vlerë deri 8 mijë lekë në muaj.