KRYEFAQJA » LAJME » Trafik kanabisi Shqipëri – Itali
hashash, kanabis, itali, brindizi, shqiperi, vlore, gomone, trafikim

Trafik kanabisi Shqipëri – Itali

Një gomone e ngarkuar me kanabis, që ishte nisur nga Shqipëria, është gjetur e braktisur në brigjet e Brindizit në Itali. Ajo kishte në brendësi një ngarkesë me 31 pako të mëdha, që përllogariten afërsisht një ton kanabis. Sipas burimeve të policisë mjeti lundrues zotërohet nga tre shqiptarë, të cilët kanë mundur të arratisen. Gomonia e kapur është 8.5 metra e gjatë dhe a pajisur me dy motorë të fuqishëm. Ajo ishte nisur nga lumi Vjosë në grykëderdhje te Mifolit mbrëmjen e së dielës. Dy kilometra nga grykëderdhja e Vjosës, patrulla e Policisë Kufitare i ka bërë shenjë dhe thirrje mjetit që të ndalojë. Drejtuesi i mjetit lundrues nuk i është përgjigjur thirrjes, por ka shtuar shpejtësinë. Policia ka hapur zjarr në ajër për ta ndaluar, por përsëri mjeti ka vijuar lundrimin me shpejtësi të madhe. Me gjithë reagimin në një kohë mjaft të shpejtë të forcave policore,  mjeti ka arritur të largohet i  ndihmuar edhe nga moti i keq. Në ndjekje të tij  janë vënë mjetet e Policisë Kufitare Vlorë, ato te repartit Special Delta Forcë dhe nje mjet i Guardia di Finanza. Në mëngjes Guardia di Finanza e Barit njoftoi se në territorin e Torre Santa Sabina, është gjetur mjeti bashkë me kanabisin që po trafikohej.