KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Tramp: SHBA-të do të heqin dorë nga mbrojtja e vendeve anëtare të NATO-s

Tramp: SHBA-të do të heqin dorë nga mbrojtja e vendeve anëtare të NATO-s

SHBA-të mund të braktisin mbrotjen e garantuar për vendet e tjera anëtare të NATO-s nëse Donald Tramp zgjidhet president. Ose të paktën kështu u shpreh kandidati republikan në një intervistë për Nju Jork Tajms, ku ai deklaroi se vendi i tij do të shkonte në ndihmë të aleatëve atlantike vetëm nëse ata përmbushin detyrimet ndaj aleancës, duke iu referuar detyrimeve financiare që rrjedhin nga anëtarësimi në aleancë. Të gjitha vendet anëtare të NATO-s kanë nënshkruar një traktat ku secila prej tyre garanton se do të shkojnë në ndihmë të çdo anëtari që sulmohet. “Faturat nuk duhen harruar. Shumë vende të NATO-s nuk po bëjnë pagesat në aleancë, megjithëse e kanë për detyrim. Nuk mund ta harrojmë këtë”, u shpreh miliarderi njujorkez. Megjithëse Shtëpia e bardhë nuk i është përgjigjur direkt komenteve të Tramp, zëdhënësi Xhosh Ernest tha se angazhimi i SHBA-ve në NATO është i hekurt. “Presidenti e rinovoi këtë angazhim kur mori pjesë në samitin e NATO-s në Varshavë”, sqaroi ai. Tramp gjithashtu u pyet nga Nju Jork Tajms edhe për situatën në Turqi dhe surprizoi me përgjigjen e tij se për momentin SHBA-të nuk janë një lajmëtar shumë i mirë për liritë civile. “Si mund t’u japim leksion të tjerëve kur këtu njerëzit qëllojnë policët me gjak të ftohtë”, tha ai.