KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trampi bën emërimet e para
Tramp: Jo familjarë në kabinet!

Trampi bën emërimet e para

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA, Donald Trump ka nisur të ndajë funksionet më të rëndësishme të administratës së tij. Shef kabineti do të jetë Rains Pribas president aktual i Partisë Republikane ndërsa Stefen Bannon do të nominohet këshilltar i presidentit dhe shef i strategjisë politike kombëtare e ndërkombëtare. Kabineti Trump do të nisë punën në datën 20 janar 2017 kur manjati do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë si president i 45-të i SHBA. E duke mbetur në arenën ndërkombëtare Trump, zhvilloi një bisedë me presidentin kinez, me të cilin ra dakord të takoheshin së shpejti. Përfaqësues të presidentit të zgjedhur që ka akuzuar në mënyrë të vazhdueshme Kinën për praktika të padrejta tregtare, thanë se dy liderët kishin respekt të ndërsjelltë për njëri-tjetrin. Ndërkaq gjatë një interviste për SiBiEs (CBS) u shpreh se do të mbajë një nga premtimet e tij më të bujshme, se do të deportonte apo dënonte menjëherë 2 deri në 3 milionë emigrantë të paligjshëm me të dhëna kriminale, ndërtimin e një muri më Meksikën, dëbimin e klandestinëve me precendentë penal, dhe përmirësimin e reformës Obama Care.
Por republikani është tërhequr për deklaratat ndaj Hillary Clinton duke u shprehur se ende nuk ka vendosur nëse do ta hetojë. Ndërsa sa i përket protestave që vijojnë në shumë qytetet të SHBA presidenti qetësisht u shpreh ”Kanë frikë sepse nuk më njohin. Por do ta bëj Amerikën të madhe edhe për ta”. Duke folur gjatë intervistës, Trump iu drejtua amerikanëve: “Mos kini frikë!”. Deklarata që ndoshta shkaktoi më shumë debat, ishte ajo për abortin. Trump tha se është pro-jetës dhe deklaroi se disa femra duhet të udhëtojnë në shtete të tjera për të abortuar. Ai tha se do caktojë në Gjykatën Supreme njerëz që janë pro-jetës. Sa i përket martesave mes të njëjtit seks, Trump tha se kjo çështje është zgjidhur nga Gjykata Supreme. Ai tha se është “ok” me vendimin që ligji për martesat mes të njëjtës gjini të mbetet në fuqi.