KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Trampi habit përsëri
Trampi habit përsëri

Trampi habit përsëri

Bota do të ishte vend më i mirë, nëse diktatorët si Sadam Hyseini i Irakut dhe Moamar Gadafi i Libisë do të ishin ende në pushtet, tha të dielën kandidati republikan për president Donald Tramp. Duke e quajtur Irakun “Harvardi i terrorizmit”, zoti Tramp tha në një intervistë të transmetuar të dielën në CNN, se ky vend është shëndërruar në një “fushë stërvitjeje për terroristët”. “Njerëzve po u pritet koka, të tjerë po mbyten. Tani gjëndja është shumë më e rëndë se sa kur në pushtet ishin Sadam Hysein apo Gadafi”- tha zoti Trump. Ai tha se gjëndja në Lindjen e Mesme “shpërtheu” në periudhën kur President ishte Barak Obama dhe sekretare shteti ishte zonja Hillari Klinton, rivalja e tij kryesore në garën për Shtëpinë e Bardhë. Donald Tramp, i cili është kandidati që kryeson garën republikane për zgjedhjet presidenciale, po ashtu kritikoi vendimin për pushtimin e Irakut nga ish presidenti Xhorxh W. Bush në vitin 2003, të bazuar tek njoftime të gabuara të zbulimit, se vendi dispononte armë jo konvencionale.